Pas rreth 1 ore në stadiumin “Al Jassim” do të zhvillohet “finalja e vogël” mes Kroacisë dhe Marokut, e vlefshme për një medalje të bronztë, në “Katar 2022”.
Tekniku Zlatko Daliç nuk ka ndryshuar shumë nga formacionet e ndeshjeve të mëparshme, ku në portë do të vendoste Livakoviç, në mbrojtje Stanisiç, Gvardiol dhe Sutalo. Mesfusha me 5 do të përbëhet nga Majer, Modriç, Perisiç, Kovaçiç dhe Orsiç, ndërsa në sulm do të pozicionohen Karmariç dhe Livaja.
Në krahun tjetër, Walid Regragui ka zgjedhur të pushojë disa nga lojtarët, të cilët shkruan historinë me “afrikano-veriorët” këtë Botëror. Në portë sërish është Bono, në mbrojtje Dari, El Yamiq, Attiat-Allah dhe Hakimi, mesfusha përbëhet nga Amrabat, El Khannous dhe Sabiri, ndërsa në sulm janë vendosur, Ziyech, En-Nesyri dhe Boufal.