Arne Slot u zyrtarizua ditën e djeshme nga Liverpool si zëvendësuesi i Jurgen Klopp.
Timonieri holandez do të marrë zyrtarisht në dorë “frenat” e “The Reds” më 1 qershor, ku më pas do të nisë të ndërtojë skuadrën e tij me të cilën do të luajë në sezonin e ri.
45-vjeçari u largua nga Feyenoord pas 3 vitesh dhe tashmë bën një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Kalimi në Premier League do ta shndërrojë atë në një protagonist absolut me ekipin e Liverpool.
Slot ka thënë edhe fjalët e para si trajner i anglezve. Holandezi është mjaft i lumtur dhe krenar për atë që e pret në Premier League, por në të njëjtën kohë thekon se eksperienca te Feyenoord do t’i shërbejë shumë.
“Sigurisht që nuk është një vendim i lehtë të mbyllësh derën në një klub ku ke përjetuar kaq shumë momente të mrekullueshme dhe ke punuar me sukses me kaq shumë njerëz të mrekullueshëm.
Por si sportist, një mundësi për t’u bërë trajner në Premier League, në një nga klubet më të mëdha në botë, është e vështirë të injorohet.
I jam mirënjohës Feyenoord për gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në këtë tranzicion.
Dhe si një tifoz futbolli, sigurisht që do të vazhdoj ta ndjek klubin, jo vetëm sepse jam i bindur se ka ende shumë gjëra të mëdha për të ardhur në Roterdam.
I uroj Feyenoordit dhe të gjithë atyre që kujdesen për këtë klub të mrekullueshëm gjithë të mirat për të ardhmen”, përfundoi holandezi.