Një propozim për zhvillimin e Kampionatit Evropian të vitit 2036 në Ballkan ka nisur të përmendet gjithnjë e më shumë. Skenari përfshin Serbinë, Kroacinë, Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Të lidhura
None found
Në këtë ide nuk janë përfshirë Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi. Megjithatë, deri tani nuk bëhet fjalë për një kandidaturë zyrtare, por vetëm për një projekt që po qarkullon në publik.
Beogradi dhe Zagrebi mund të luajnë një rol qendror në këtë nismë, sidomos për shkak të stadiumeve të reja që po ndërtohen në këto dy qytete.
Në Surçin, stadiumi i ri kombëtar i Serbisë është pranë përfundimit dhe do të ketë mbi 52 mijë vende. UEFA ia ka caktuar këtij impianti organizimin e finales së Ligës së Evropës në vitin 2029, sipas raportimit të sport.ba.
Ndërkohë, në Zagreb po ecën përpara projekti për stadiumin e ri “Maksimir”, i cili pritet të ketë rreth 35 mijë ulëse. Bashkia e Zagrebit dhe Qeveria kroate kanë zhvilluar një konkurs ndërkombëtar për projektin arkitektonik dhe urbanistik, ndërsa fituesi është bërë i ditur në fund të shtatorit.
Me këto dy stadiume të reja, Beogradi dhe Zagrebi do të mund të shërbenin si dy prej qendrave kryesore të një organizimi të përbashkët ballkanik.
Skenari i përfolur parashikon që ndeshjet të zhvillohen në nëntë qytete të gjashtë shteteve. Serbia do të përfaqësohej nga Beogradi, Kroacia nga Zagrebi, ndërsa Greqia do të kishte Athinën, Pireun dhe Selanikun.
Lista do të plotësohej nga Sofja dhe Plovdivi në Bullgari, Shkupi në Maqedoninë e Veriut dhe Tirana në Shqipëri.
Një format i tillë do të përbënte një prej projekteve më të mëdha të përbashkëta sportive në rajon, pasi turneu do të shtrihej në disa shtete dhe qendra të rëndësishme urbane.
Ballkani nuk është i vetmi rajon që lidhet me organizimin e EURO 2036. Në diskutim janë edhe një kandidaturë e mundshme e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, një tjetër nga Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, si dhe një projekt nga Kaukazi me Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë.
Asnjë prej këtyre ideve, përfshirë edhe skenarin ballkanik, nuk është konfirmuar deri tani si kandidaturë zyrtare për EURO 2036.
Nëse do të konkretizohej, projekti do të kërkonte investime të rëndësishme në futboll dhe në infrastrukturën sportive të rajonit. Organizimi në gjashtë shtete do të mundësonte përdorimin e stadiumeve ekzistuese, krahas impianteve të reja që janë aktualisht në zhvillim.
