EURO 2020/ Dita e fundit e fazës së grupeve, sot plotësohen skuadrat e 1/8-ave

Edicioni i 16 i kampionatit evropian të futbollit mbërrin në ditën e fundit të raundit hapës dhe katër ndeshjet përmbyllëse të fazës së parë do të krijojnë edhe tablonë e plotë për pjesën e mbetur të aktivitetit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër, në rang përfaqësuesesh. Një gjë është e qartë Franca dhe Suedia e garantuan vendin e tyre në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë që të hënën në mbrëmje, kështu që këto dy përfaqësuese do të luajnë në sfidat e fundit për të përcaktuar thjesht pozicionin përfundimtar në grupet respektive.

Në letër spikat sigurisht dueli Francë – Portugali, me dy skuadra përfaqësuese që renditen në pesë vendet e para të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s. Kampionët në fuqi të botës janë të kualifikuar pra për në fazën e knock out-it, ndërsa portugezët në krahun tjetër janë pothuajse me një këmbë në raundin tjetër, duke patur parasysh golaverazhin si dhe sasinë e golave të shënuar në dy ndeshjet e para. Franca me Portugalinë u përballën pesë vjet më parë në Saint-Denis, në finalen e evropianit të fundit, ku ekipi luzitan u kurorëzua me trofeun e parë Henry Delaunay, brenda në Paris përpara 76.000 spektatorëve, falë golit të realizuar në kohën shtesë nga sulmuesi me origjinë nga Guinea – Bisau Eder.

Blutë kanë dominuar përgjithësisht përballjet mes tyre, duke fituar 4 nga 6 sfidat kompetitive, megjithatë është e qartë që përfaqësuesja luzitane iu ka shkaktuar një humbje dramatike dhe tepër të rëndë, pikërisht në takimin më të rëndësishëm në historinë e sfidave ndërmjet tyre. Një disfatë që vështirë se do të harrohet dhe në mënyrë të kuptueshme skuadra e drejtuar nga trajneri Didier Deschamps do të mundohet të bëjë sa më shumë dëm, duke u hakmarrë në njëfarë mënyre pikërisht për atë finale të humbur, e megjithatë përsëri ekipi i drejtuar nga veterani Fernando Santos shkon i qetë në takimin përmbyllës, sepse duke bërë llogaritë kampionëve në fuqi të Evropës iu duhet që të humbasin këtë duel me tre apo më shumë gola diferencë, për t’i dhënë lamtumirën përpara kohe këtij aktiviteti.

Kështu Ukraina e Andriy Shevchenko-s numëron 3 pikë dhe ka një golaverazh 4-5, ndërsa Portugalia ka vërtet vetëm 3 pikë në klasifikimin e vecantë të vendeve të treta, por me një golaverazh dukshëm më të mirë 5-4. Franca mban vendin e dytë në botë, ndërsa Portugalia pozicionohet në vendin e pestë në renditjen e FIFA-s, sidoqoftë skuadra luzitane është përshtatur mjaft mirë me Hungarinë, duke pasur parasysh që seleksioni i përzgjedhur nga 66-vjeçari nga Lisbona ka qëndruar për pjesën më të madhe të kohës në vendin maxhar, duke u stërvitur pikërisht në Budapest. Dy trajnerët kanë në dispozicion futbollistët më të mirë për këtë takim, me përjashtim të Joao Cancelo-s që mungon te Portugalia pasi është infektuar nga virusi Covid – 19, ndërsa në anën tjetër mungon sulmuesi i Barcelonës Ousmane Dembele.

Portugezët shënuan tre herë në minutat e fundit të takimit me Hungarinë, megjithatë në sfidën e dytë kampionët në fuqi të Evropës u dominuan si rrallëherë, duke përkeqësuar pozitat e tyre në këtë edicion. Skuadra luzitane kishte humbur vetëm takimin me Francën në Ligën e Kombeve në 16 ndeshjet e fundit, përpara se të shpërfytyrohej krejtësisht në duelin me ekipin e drejtuar nga Joachim Loë. Gjermania u pozicionua shumë lart në fushën e lojës dhe dy lojtarët anësorë Robin Gosens dhe Joshua Kimmich bënë kërdinë nga krahët duke depërtuar deri në vijën fundore dhe shumë pranë kufijve të zonës. Vendasit u dukën për minuta të tëra si Bajerni i Mynihut dhe 61-vjecari nga Baden – Wurttembergu i besoi sërish mbrojtjes me tre, duke shtrënguar luzitanët për t’u ngjeshur mbrapa dhe shumë thellë në gjsyëmfushën e tyre. Krejt ndryshe nga c’po zhvillohej takimi Cristiano Ronaldo zhbllokoi rezultatin pas një kundër-zbritje tepër të shpejtë, për më tepër pas një situate standarde të Gjermanisë, duke u barazuar me Miroslav Klose-n në kuotën e 19 golave, si dy futbollistët evropianë me më shumë gola në aktivitetet madhore, evropian plus botëror.

Dy autogolat që pasuan në vijim deri në fundin e fraksionit hapës ishin thjesht rrjedhë logjike e lojës, pasi në vend që të ngjitej më lart dhe të shfrytëzonte hapësirat në dispozicion Portugalia u ngjesh prapa, duke i besuar mbrojtjes. Ndeshja përfundoi me shifrat 4-2 për Gjermaniën dhe në mënyrë të kuptueshme pas një dominimi të tillë trajneri Fernando Santos u shtrëngua për të kërkuar publikisht falje, për gabimet e shumta dhe tepër të rënda në administrimin e rezultatit apo qoftë edhe rreshtimin fillestar të ekipit të tij. Në mënyrë të paimagjinueshme trajneri veteran ekspozoi në fushë Nelson Semedo-n në krahun e djathtë dhe Raphael Guerreiro-n në anën tjetër. Bruno Fernandes ishte në një ditë të errët dhe Fernando Santos e mbajti mesfushorin e Manchester United në mënyrë të pashpjegueshme për një orë lojë dhe vetëm atëherë e zëvendësoi me fantazistin Joao Moutinho, ndërsa dy futbollistët anësorë si Diogo Jota dhe Bernardo Silva ndihmuan fare pak në fazën e mbulimit, ndonëse mbrojtja ishte në vështirësi të theksuar.

Franca në krahun tjetër pas fitores brenda në Mynih ndaj Gjermanisë frenoi në Budapest me përfaqësuesen maxhare, gjithsesi pavarësisht kritikave apo dhe rasteve të shpërdoruara nga ana e “gjelave” padyshim i duhet dhënë merita e duhur pikërisht kombëtares maxhare që zhvilloi vërtet një ndeshje të madhe. Portugali – Francë do të luhet në orën 21:00 në “Puskas Arena” dhe do të drejtohet nga kryesori i mirënjohur spanjoll Mateu Lahoz. Blutë kryesojnë 19-6 me fitore bilancin e përgjithshëm të 27 sfidave ndërmjet tyre, madje 5 nga ato 6 fitore luzitanët i kanë regjistruar në takime miqësore. Po në të njëjtën kohë Gjermania do të presë Hungarinë në “Allianz Arena” dhe është e qartë që “mannschaft”-i niset si favorit për të kaluar mes 16 ekipeve më të mirë të këtij evropiani.

“Panzer”-at rrezikojnë të mbeten jashtë vetëm nëse humbasin ndeshjen, ndërkohë ka edhe një skenar tjetër tepër befasues, sidoqoftë pak të mundshëm: nëse Gjermania dhe Portugalia munden në sfidat e fundit, atëherë kampionët në fuqi do ta mbyllnin aventurën e tyre në vendin e fundit në Grupin F, pikërisht falë bilancit negativ në përballjen direkte me Gjermaninë. Nëse Portugalia ka humbur 11 nga 13 sfidat e fundit me Francën në të gjithë kompeticionet në këtë takim bilanci është shumë më i ekuilibruar dhe “nationalelf” ka fituar vetëm 3 nga takimet e fundit me Hungarinë. Bëhet fjalë për 3 fitore, 2 humbje dhe 4 barazime në 47 vitet e fundit.

Sfida kompetitive mbeten vetëm dy përballjet e botërorit të 1954, 8-3 për Hungarinë në Basel në fazën e grupeve dhe 3-2 për Gjermaninë Perëndimore në finalen e paharrueshme të Bernës, ndërkohë bilanci i përgjithshëm i 35 sfidave mes tyre është 14-11 me fitore për panzer-at, të cilëve iu mjafton edhe barazimi për të kaluar në fazën tjetër. Më herët do të mbyllin përfundimisht llogaritë edhe ekipet e Grupit E. Polonia duhet të mundë patjetër në Saint Petersburg Suedinë në orën 18:00, ndërkaq po në të njëjtën orë Sllovakisë i nevojitet patjetër barazimi ndaj Spanjës, që ka favorin për ta luajtur takimin përmbyllës sërish në Stadiumin Olimpik të Sevilles, La Cartuja, sidoqoftë është e qartë që vendasit do të luajnë për 3 pikët, sepse një barazim në duelin Spanjë – Sllovaki i kombinuar me një sukses të Polonisë në takimin me Suedinë flak jashtë në mënyrë të pamëshirshme pikërisht skuadrën e Luis Enrique-s.


Shtuar 23.06.2021 08:35