“Është një ndeshje 50-50”, Modric insiston se Real Madridi nuk është favorit ndaj Dortmundit

Real Madridi ka kryer përgatitjet e fundit para përballjes me Borussia Dortmundit në finale të Ligës së Kampionëve e cila do të luhet nesër (1 qershor) në ‘Wembley’ me fillim nga ora 21:00.

Luka Modric ka folur para gazetarëve në konferencën për shtyp para ndeshjes, me kroatin i cili iu bashkua Carlo Ancelottit dhe Nachos.

“Ne jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe kemi shumë besim dhe qetësi për t’u përballur me ndeshjen më të rëndësishme të sezonit”, ka thënë fillimisht Modric.

Nëse Real Madridi fiton të shtunën, Luka Modric, Nacho, Dani Carvajal dhe Toni Kroos do të barazonin legjendën Paco Cento me nga gjashtë Liga të Kampionëve.

“Ishte e paimagjinueshme ta mendonim se do ta arrinim këtë moment, por ne jemi këtu dhe po e shijojmë këtë moment. Shpresoj, se do të bëjmë një tjetër hap si skuadër. Të kesh gjashtë Liga të Kampionëve do të ishte e mrekullueshme”, është shprehur kroati.

Tutje Modric foli edhe për mënyrën se si kanë shkuar përgatitjet për këtë ndeshje dhe faktin që Real Madridi cilësohet favorit.

“Nuk ishte java më e qetë e mundshme. Të gjithë mendojnë se jemi favoritë, por ne nuk mendojmë kështu. Është një ndeshje 50-50 dhe po luajmë ndaj një ekipi që kishte një sezon fantastik. Ne kemi stërvitur mjaft mirë”.

“Ne e kemi shfaqur shumë herë se kur gjërat nuk shkojnë mirë, ne vazhdojmë të luftojmë, por siç thotë Nacho, ne preferojmë të fitojmë”, përfundoi kroati. /Telegrafi/


Shtuar 31.05.2024 22:11