Christian Eriksen u rikthye në Milano ditën e djeshme. Fantazisti danez zbarkoi në Appiano Gentile, aty ku u prit përzemërsisht nga shokët e skuadrës, stafi teknik dhe drejtuesit e kampionëve të Italisë.
29-vjeçari ka lënë pas krahëve momentin e tmerrshëm në Euro 2020, u shfaq i buzëqeshur dhe në formë, gjendja fizike e tij është e mirë dhe rikthimi në fushat e futbollit është afër.
Tani është koha e testeve të vazhdueshme dhe kontrolleve të detajuara, por optimizmi nuk mungon. Corriere dello Sport zbulon edhe bisedën e Eriksen me shokët e skuadrës.
“Do të rikthehem në fushë për 4-5 muaj“, është shprehur mesfushori viking, i cili ka një dëshirë të madhe për të luajtur sërish futboll, pavarësisht problemeve në zemër.
Nëse programi i rikuperimit, i cili do të zhvillohet në Danimarkë, do të lejojë heqjen e defibrilatorit, atëherë ai do të jetë në gjendje të luajë sërish me Interin; me miratimin e mjekëve klubit zikaltër dhe FIGC. Nëse jo, Eriksen do të duhet të zgjedhë një ligë tjetër si ajo holandeze.