Sulmuesi shqiptar Erald Çinari ka zyrtarizuar kalimin te skuadra koreane Jeju SK. Në moshën 29-vjeçare, ai ka lënë pas eksperiencën në Arabinë Saudite për t’u bashkuar me kampionatin elitar të Koresë së Jugut, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierë.
Çinari nuk është një emër i panjohur për tifozët shqiptarë, pasi ka lënë gjurmë në Superiore me fanellat e Partizanit dhe Vllaznisë. Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, talenti shkodran ka ndarë emocionet e tij të para si lojtar i klubit korean.
Të lidhura
None found
“Ndjehem jashtëzakonisht i entuziazmuar për këtë aventurë të re me Jeju SK. Jam i ndërgjegjshëm për nivelin e lartë të konkurrencës në ligën koreane. Për këtë arsye, synoj të përdor maksimalisht aftësitë e mia në çdo takim, në funksion të suksesit të ekipit. Gjithashtu, mezi pres të bashkëpunoj sërish me Aias, me të cilin krijuam një lidhje të shkëlqyer te FC Noah. Premtoj se do t’ua kthej besimin tifozëve me performanca bindëse dhe rezultate pozitive,” u shpreh sulmuesi.
Një ndeshje e veçantë e pret tashmë Çinarin dhe skuadrën e tij të re. Më 4 gusht, Jeju SK do të masë forcat me gjigantin gjerman Bayern Munich në një përballje miqësore, një sfidë që padyshim do të tërheqë vëmendjen e të gjithë tifozëve.
