Chelsea ka konfirmuar zyrtarisht afrimin e portierit argjentinas Emiliano Martinez nga Aston Villa.
Të lidhura
None found
Gardiani 33-vjeçar, i cili ishte pjesë e Argjentinës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, ka firmosur kontratën e re me klubin londinez. Martinez bëhet kështu përforcimi më i fundit i ekipit të drejtuar nga Xabi Alonso.
Me eksperiencën e krijuar në Ligën Premier dhe në kompeticionet ndërkombëtare, Martinez shkon në “Stamford Bridge” si një nga portierët më të vlerësuar. Gjatë gjashtë viteve të kaluara te Aston Villa, ai u rendit mes emrave më të spikatur të futbollit anglez dhe ndër gardianët më të mirë në botë.
Hapat e parë në futboll i hodhi në akademinë e Independientes. Më pas, në gusht të vitit 2010, kur ishte vetëm 17-vjeçar, u transferua te Arsenali.
Përpara se të siguronte një rol të rëndësishëm në skuadrën e parë të Arsenalit, Martinez kaloi disa sezone në huazim te klube të ndryshme, ku kërkoi më shumë minuta dhe përvojë.
Gjatë sezonit 2019/20, ai u bë titullar në 11 ndeshjet e fundit të fushatës dhe kontribuoi në suksesin e “Topçinjve” në FA Cup. Në nisje të sezonit të ardhshëm, portieri argjentinas fitoi edhe Community Shield.
Transferimi te Aston Villa u realizua në shtator të vitit 2020. Në klubin nga Birminghami, ai u shndërrua shpejt në një prej portierëve më të mirë të Ligës Premier.
Me Aston Villan, gjatë gjashtë sezoneve, Martinez zhvilloi 256 ndeshje dhe ndihmoi ekipin të fitonte Ligën e Evropës në muajin maj.
Debutimin me përfaqësuesen e Argjentinës e bëri në qershor të vitit 2021. Që prej asaj kohe, ai është vendosur si portieri i parë i kombëtares.
Martinez numëron 67 paraqitje me fanellën e Argjentinës dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në periudhën e suksesshme të ekipit kombëtar.
Me përfaqësuesen argjentinase, ai ka fituar Copa America në vitet 2021 dhe 2024, si edhe Kupën e Botës në Katar në vitin 2022.
Performancat e tij i kanë sjellë gjithashtu Yashin Trophy, çmim të cilin e fitoi në ceremonitë e “Ballon d’Or” në vitet 2023 dhe 2024.
Transferimi i Martinezit i jep Chelsea-t një përforcim të rëndësishëm në portë, duke shtuar në skuadër një gardian me përvojë të konsiderueshme në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe ndërkombëtar.
