Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka bërë të ditur se partia e saj nuk do t’i bashkohet nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Të lidhura
None found
Gjatë seancës së Kuvendit, ku po diskutohet propozimi për ndryshime ligjore, ajo deklaroi se LDK-ja e vlerëson luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të shenjtë. Megjithatë, Lushaku-Sadriu shprehu dyshime për pasojat juridike që mund të sjellë kjo nismë.
“Për LDK-në, lufta e UÇK-së është e shenjtë”, tha ajo.
Sipas deputetes, edhe nëse ndryshimet marrin miratimin e Kuvendit, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato do të kenë zbatim praktik.
“Kjo nismë mund të mos prodhojë efekt juridik”, u shpreh Lushaku-Sadriu, duke paralajmëruar se përgjegjësia dhe pasojat e kësaj nisme mund t’i mbeten shtetit të Kosovës.
Ajo u kërkoi deputetëve që vendimin gjatë votimit ta mbështesin te parimet e drejtësisë dhe jo vetëm te synimi politik i propozuar.
Lushaku-Sadriu rikujtoi se, në qëndrimin e LDK-së, çdo përpjekje për ndryshimin e një aktgjykimi të Dhomave të Specializuara duhet të ndiqet përmes rrugës gjyqësore dhe procesit të apelit.
Për këtë arsye, ajo përsëriti se LDK-ja nuk mund të përfshihet në nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
