Eduard Dervishaj renditet mes shqiptarëve që kanë arritur sukseset më të mëdha në administrimin e futbollit evropian.
Të lidhura
None found
Ai është prej shumë vitesh pjesë e Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit, ku ka ushtruar disa funksione të rëndësishme, përfshirë atë të zëvendëssekretarit. Aktualisht, Dervishaj drejton Departamentin Ndërkombëtar dhe të Operacioneve.
65-vjeçari ishte pjesë e delegacionit të kombëtares së Spanjës në Botërorin 2026. Përfaqësuesja spanjolle zhvilloi një turne të jashtëzakonshëm në Amerikën e Veriut dhe në përfundim u shpall kampione e botës.
Pas triumfit, Dervishaj publikoi në rrjetet sociale disa fotografi përkrah trajnerit Luis de la Fuente dhe me trofeun e Kupës së Botës. Në mesazhin e tij, ai falënderoi të gjithë personat që kontribuuan në këtë rrugëtim.
Dervishaj nënvizoi gjithashtu se pati privilegjin ta përjetonte nga afër Botërorin e dytë të karrierës së tij.
I lindur dhe i rritur në Tiranë, ai është vendosur në Spanjë që prej vitit 1997. Gjatë angazhimit të tij profesional ka pasur përgjegjësinë për organizimin e katër finaleve të Ligës së Kampionëve.
Vitin e kaluar, shqiptari u caktua në krye të projektit organizativ për Kupën e Botës 2030, turne që do të mbahet në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Përpara se të krijonte karrierën e tij në Spanjë, Eduard Dervishaj kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe për futbollin shqiptar.
Nga viti 1992 deri më 1996, ai mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa më herët kishte punuar edhe si trajner i Dinamos së Tiranës.
