Eden Hazard ishte shumë afër kalimit tek rivali i Chelseat, por legjenda e klubit ia ndryshoi mendjen

Eden Hazard ka zbuluar se ishte shumë afër kalimit tek rivali i Chelseat në Ligën Premier, Manchester City, para se në fund të ndryshojë mendjen dhe të transferohet tek “Blutë e Londrës”.

Sensacioni belg ishte një ndër lojtarët më të dalluar në futbollin evropian kur ai u largua nga Ligue 1 në verën e vitit 2012.

Ai kishte shënuar 22 gola atë sezon dhe kishte fituar titullin e ligës në vitin paraprak, kështu që të gjitha klubet e mëdha në Ligën Premier kishin shprehur gatishmërinë për të siguruar shërbimet e tij.

Hazard e kishte njoftuar kalimin e tij tek Chelsea në një mënyrë unike, duke njoftuar këtë përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter).

Por, Hazard, i cili ka fituar dy herë Ligën Premier dhe dy herë Ligën e Evropës me klubin, ka zbuluar se Chelsea nuk ishte opsioni i tij më i preferuar nga ofertat që kishte.

“Unë kisha një bisedë me Sir Alex Ferguson, kam biseduar edhe me Harry Redknapp. Unë shkova në Mançester për të parë qendrën stërvitore të Manchester Cityt. Unë kisha disa opsione por jo Chelsean, sepse vitin e fundit isha tek Lille dhe Chelsea nuk po bënte aq mirë në ligë”, ka thënë Hazard.

“Papritmas, telefoni i Gervinhos (bashkëlojtari i tij tek Lille) po cingëronte në dhomën e zhveshjes dhe në linjë ishte Drogba. Ai insistoi duke i thënë ‘Më duhet të flas me të’. Drogba më tha mua, ‘Ju duhet të vini tek Chelsea’”, u shpreh belgu.

Hazard bëri 352 paraqitje me fanellën e Chelseat dhe e përfundoi aventurën e tij me “Blutë e Londrës” me 110 gola të shënuar. /Telegrafi/


Shtuar 16.02.2024 21:37