Ecuria fantastike e Vllaznisë, “sekreti” janë djemtë shkodranë

Vllaznia është padiskutim skuadra e momentit në Superiore. Shkodranët janë një ekip mjaft fantastik, teksa po bëjnë ndeshje spektakolare në kampionat.

Që prej ardhjes së Qatip Osmanin, kuqeblutë vetëm kanë ngjitur shkallët në klasifikim, duke u afruar me 4 pikë me Egnatian kryesuese.

Ish-trajneri i Shkëndijës padiksutim që ka një dorë në paraqitjet e shkodranëve dhe rezultatet e tyre, ku tashmë në Shkodër të gjithë e thonë me zë të lartë se do të fitojnë titullin.

Por jo vetëm kaq, një meritë kanë edhe drejtuesit që për të rikthyer titullin në Shkodër kanë vendosur t’u besojnë “djemve” të tyre.

Aktualisht te kuqeblutë kanë në formacionin titullarë plot 7 futbollistë shkodranë. Duke nisur nga mbrojtja në sulm që nga Kristi Qarri, Esin Hakaj, Geralb Smajli, Ardit Krymi, Rejan Alivoda, Mehdi Çoba dhe kapiteni Bekim Balaj, për të vazhduar edhe me stolin.

Aron Jukaj, Gledjan Pusi, Ditmir Beci, Flori Spahija, Antonio Delaj apo Ersi Zaganjori që e bëjnë Vllazninë një skuadër tipike shkodrane. Lojtarë që e ndjejnë fanelën dhe e dinë sa rëndon historia, me kapitenin Balaj që kanë marrë përgjegjësinë për të çuar Vllazninë drejt titullit.

Tashmë asgjë nuk është e pamundur dhe paraqitjet e kuqebluve këtë sezon bëjnë që edhe tifozi më i vogël shkodran të dëshirojë dhe të ëndërrojë titullin, trofe që mundon prej 23 vitesh. /newsport.al/


Shtuar 4.03.2024 13:01