Ish-lojtari i Lushnjes dhe Egnatias, James Ayinde, është ndarë nga jeta në moshën 24-vjeçare, pasi nuk ka arritur të fitojë betejën me një sëmundje të pashërueshme.
Sulmuesi nigerian vuante nga kanceri në veshka dhe nuk ka rritur të fitojë ndeshjen më të rëndësishme të jetës së tij.
Klubi lushnjar ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale për këtë ngjarje tragjike. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-lojtarit tonë, James Ayinde.
James veshi me krenari fanelën e KF Lushnja, duke dhënë kontributin e tij në fushën e lojës dhe duke lënë kujtime të paharruara te tifozët dhe gjithë komuniteti sportiv lushnjar. Ai do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin, pasionin dhe shpirtin luftarak që tregoi në çdo ndeshje. Sot, klubi ynë humbi jo vetëm një ish-futbollist, por një njeri të mirë që ishte pjesë e familjes sonë.
KF Lushnja i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën. U prehsh në paqe, James Ayinde!”, shkruhet në njoftimin e klubit myzeqar.
Për këtë ngjarje të trishtë njerëzore ka reaguar edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në faqen e tij zyrtare në facebook.
“Një djalë i ri, me ëndrra dhe pasion për futbollin, që luftoi me forcë deri në fund në betejën më të vështirë të jetës së tij. Kontributi i tij me fanelën e Egnatias dhe më pas me KF Lushnja do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtesës së futbollit shqiptar.
Në këto momente të vështira, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ayinde, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të futbollit që e njohu dhe e vlerësoi.
U prehtë në paqe”.


