E pësoi nga UEFA si Skënderbeu për trukimet, klubi letonez braktis kampionatin dhe shpërbëhet

UEFA ka vendosur që të vërë në zbatim të njëjtat rregulla me të cilat ndëshkoi disa vite më parë Skënderbeun për trukime ndeshjesh dhe me të njëjtin motivim, ka përjashtuar nga aktivitetet e saj për 7 vite skuadrën e Ventspilts të Letonisë. Një dënim i rëndë, të cilin letonezët duket se nuk kanë shpresa që ta kthejnë mbrapsht.

Kështu, klubi ka vendosur që përveç largimit të drejtuesve që i shkaktuan këtë dëm të rëndë në imazh dhe në financa, të fillojë gjithçka nga e para. Ventspils ka dërguar një shkresë në Federatën Letoneze, duke i bërë të ditur tërheqjen zyrtarisht nga gara në kampionatin e këtij viti, duke e braktisur atë. Sipas klubit, pa inventivin europian dhe të ardhurat që siguron me pjesëmarrjen në Europë, ka mangësi në sponsorizime dhe si rrjedhojë, nuk e përballon dot edicionin.

Kështu, skuadra jo vetëm nuk do të marrë pjesë në gara, por edhe do të shpërbehet plotësisht duke u kthyer mes amatorëve. Një mënyrë e kundërt për të interpretuar gjërat në krahasim me Skënderbeun, i cili në një situatë të ngjashme, vendosi që të qëndronte në elitë e të mos shpërbëhej, duke preferuar të ruajë emrin, edhe pse për klubin dëmi i shkaktuar nga vendimi i UEFA-s ishte i pariparueshëm.

Shtuar 20.06.2021 10:06