E papritur, Dani Alves në moshën 38 vjeçare kthehet në kombëtaren e Brazilit

Dani Alves kthehet përsëri në kombëtaren e Brazilit. Ky ka qenë lajmi i papritur i ditës së sotme, teksa është mësuar se mbrojtësi, tashmë 38-vjeçar, është përsëri në listën e të grumbulluarve nga Tite për ndeshjet e ardhshme të kualifikuesve të Botërorit, të cilat Brazili i luan kundër Ekuadorit dhe Paraguait.

“Alves po kalon një periudhë të mirë dhe ka një histori të gjatë në ekipin kombëtar. Në ndeshje të kualifikueseve të Botërorit nuk ka kohë për riaftësim dhe ai po luan në maksimumin e formës së tij fizike. Ka një aftësi të madhe drejtuese dhe kjo është shumë e mirë për grupin”, deklaroi Tite duke konfirmuar kthimin pas 2 vitesh të futbollistit përsëri në përfaqësuese, ku në shtypin brazilian trumbetohet se ai e meriton plotësisht të jetë pjesë e “Seleçaos” edhe në Kupën e Amerikës që nis muajin e ardhshëm.

Dani Alves ndërkohë po tregon se nuk ndjen aspak peshën e moshës. Futbollisti i Sao Paulos ka luajtur çdo minutë në 6 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar skuadra e drejtuar nga Hernan Crespo, në një periudhë prej vetëm 19 ditësh, me dy prej këtyre ndeshjeve në Kupën Libertadores.

Shtuar 16.05.2021 09:32