Manchester United ka marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me të ardhmen e sulmuesi anglez Jadon Sancho.
Pas problemeve që kishte me trajnerin Erik Ten Hag, Sancho është huazuar te Borussia Dortmund dhe ka filluar të shkëlqej sërish në Sigan Iduna Park.
Megjithatë e ardhmja e tij nuk pritet të jetë në Old Traford, pasi Djajtë e Kuq kanë për synim ta shesin atë duke i vendosur edhe një çmim largimi.
Nuk përjashtohet mundësia që Sancho të qëndroj te Dortmund, por gjithçka do të varet nga verdhezinjtë nëse duan të paguajnë 50 milionë euro, çmimin që i kanë caktuar drejtuesit e United lojtarit anglez.
Sky Sport ka raportuar se Dortmund do të marrë një vendim në fund të sezonit për anësorin, edhe pse paraqitjet e tij deri më tani kanë qenë shumë të mira.
“Jam i lumtur për Sanchon dhe paraqitjen e tij. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha ditë më parë Erik Ten Hag për yllin anglez.
24-vjeçari pëlqehet edhe nga skuadra të tjera në Angli si Chelsea, Newcastle United dhe Tottenham Hotspur, megjithatë ai po pret fillimisht Dortmundin të marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Deri më tani Sancho ka zhvilluar 17 paraqitje me verdhezinjtë, ku ka shënuar tre gola dhe ka asistuar në dy të tjerë. /Telegrafi/