KF Dukagjini njoftoi të dielën se ka përfunduar bashkëpunimin me trajnerin Arsim Thaqi.
Të lidhura
None found
Largimi është bërë me marrëveshje të dyanshme, ndërsa së bashku me trajnerin janë ndarë nga klubi edhe ndihmëstrajnerët Valmir Bytyqi, Ahmet Haliti dhe Lekë Termkolli.
Në njoftimin e tij, Dukagjini shprehu mirënjohje të sinqertë për punën, përkushtimin dhe kontributin e stafit teknik gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit.
Klubi theksoi se profesionalizmi dhe angazhimi i tyre i bënë pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të KF Dukagjinit. Në emër të drejtuesve, futbollistëve dhe tifozëve, ata u falënderuan për kohën e kaluar së bashku dhe për gjithçka që dhanë për ngjyrat e klubit.
Dukagjini i uroi trajnerit Arsim Thaçi dhe ndihmëstrajnerëve Valmir Bytyqi, Ahmet Haliti e Lekë Termkolli suksese në vazhdimin e karrierës dhe në sfidat e ardhshme, si në planin profesional, ashtu edhe në atë personal.
Gjatë periudhës me Thaqin në krye të skuadrës, Dukagjini e fitoi Kupën e Kosovës pasi në finale mposhti Ferizajn.
Ky trofe i siguroi ekipit nga Klina pjesëmarrjen në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Megjithatë, shorti nuk ishte në anën e Dukagjinit, që u eliminua nga skuadra zvicerane Lugano.
Armend Dallku pritet ta marrë postin e lënë nga Thaqi. Ai e ka drejtuar Dukagjinin edhe më herët.
