Forcat e rendit në jug të vendit u vunë në alarm mbrëmjen e sotme pas raportimit të një ngjarjeje të pazakontë. Rreth orës 21:00, policia mori njoftim se nga një jaht që ndodhej në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër.
Sipas informacioneve paraprake, një person ka qëlluar me armë zjarri gjatë një feste të zhvilluar në ambientet e një jahti. Nuk ka ende të dhëna të konfirmuara për persona të lënduar apo për motivin e ngjarjes.
Të lidhura
None found
Pas sinjalizimit, efektivët e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare reaguan menjëherë, duke nisur ndjekjen e mjetit lundrues në hapësirën detare.
Ndërkohë, për sigurimin dhe kontrollin e të gjithë perimetrit, u angazhuan edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi. Patrullat e tyre kanë filluar kontrollet nga toka përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Operacioni në det për ndalimin e jahtit po vazhdon. Autoritetet synojnë të verifikojnë plotësisht informacionin e raportuar, të identifikojnë personat që ndodhen në bord dhe të dokumentojnë ngjarjen.
