Kampionia e Kosovës, Drita, tashmë e di edhe kundërshtarin e mundshëm në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Të martën, “Intelektualët” mësuan fillimisht se në raundin e parë do të ndeshen me Kauno Zalgiris, ndërsa nëse arrijnë fitore, më pas do të përballen me skuadrën fituese të takimit mes Kalksvik dhe Attert Bissen.
Të lidhura
None found
Në letër, asnjëra prej këtyre dy ekipeve nuk vlerësohet më e fortë se Drita, çka i jep kampionit të Kosovës një mundësi të rrallë për të avancuar më thellë këtë edicion.
Megjithatë, në këtë moment fokusi i “Intelektualëve” mbetet te Zalgiris. Trajneri Zekirija Ramadani u shpreh të martën se bëhet fjalë për një kundërshtar që nuk e njeh, por theksoi se ka kohë të mjaftueshme për përgatitje.
“Një ekip që nuk e njohim, por kemi kohën e duhur për ta përcjellë kundërshtarin dhe për ta përgatitur ekipin tonë në mënyrën më të mirë për t’u përballur me këtë ekip”.
“Një përparësi e shoh te kundërshtari, sepse atje luhet kampionati dhe padyshim që ata janë në një formë më të mirë se ne, mirëpo kur bëhet fjalë për këtë kompeticion, ndonjëherë edhe freskia është shumë e mirë”, deklaroi ai.
Drita do ta nisë rrugëtimin evropian më 7 ose 8 korrik në Lituani, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet një javë më pas.
