Dorëheqja e Prandellit, Fiorentina rikthen Giuseppe Iachinin

Pas dorëheqjes së djeshme të Cesare Prandellit, klubi vjollcë zgjodhi të kthejë në stol trajnerin Giuseppe Iachini.

Ai tashmë kishte qenë “timionier” i ekipit të Firence deri në nëntor të vitit të kaluar.

Trajneri 56-vjeçar do të drejtojë seancën e tij të parë stërvitore në qendrën sportive “Davide Astori” dhe do të rinisë kontaktet me lojtarët sot, e mërkurë, 24 mars 2021.

Prandelli ishte kthyer përsëri në krye të vjollcëve pas 10 vitesh, më 9 nëntor 2020, kur mori detyrën nga Iachini.

Në 23 ndeshje, midis kampionatit dhe Kupës së Italisë, ai mori vetëm 6 fitore dhe 11 humbje.

Fiorentina aktualisht është në vendin e 14-të në renditje, me 29 pikë, vetëm 7 pikë më shumë se Cagliari, në zonën e mbijetesës.

Tani, një shkundje e re në stol, me rotacionin e ri në të kundërt, krahasuar me katër muaj më parë, synon rezultatet pozitive.

Siç u përmend, për Iachini është një kthim. Ai zëvendësoi Montellën në janar 2020. Nga 30 ndeshje në total, ai fitoi 12, barazoi 10 dhe humbi 8.

Shtuar 24.03.2021 10:03