Dita e sulmuesve “kuqezi”, Vrioni shënon tregolësh dhe shpallet lojtari i ndeshjes

Giacomo Vrioni ka realizuar tripletën e parë në kampionatin austriak të futbollit. Sulmuesi u huazua në qershor nga Juventusi te Tirol, ekip ku është përshtatur shumë mirë, po luan dhe po shënon.

23-vjeçari ishte protagonist absolut në suksesin e sotëm 5-1 kundër Wolfsberger, duke gjetur tri herë rrugën e rrjetës.

Vrioni zhbllokoi takimin në minutën e 26-të, teksa shënoi edhe dy herë të tjera në fraksionin e dytë të ndeshjes (62’ dhe 86’), duke u zgjedhur lojtari më i mire i ndeshjes.

Sulmuesi shqiptar (2 ndeshje me kombëtaren) është ngjitur në kuotën e 8 golave sezonalë në elitën e futbollit austriak, duke ndarë vendin e dytë në renditjen e golashënuesve bashkë me Yeboah (Sturm Graz) dhe Pink (Austria Klagenfurt).

Fitore shumë e rëndësishme kjo për Tirol, që është ngjitur në vendin e dhjetë pas suksesit të thellë ndaj skuadrës që mban vendin e dytë në renditje.


Shtuar 21.11.2021 20:38

Tags: ,