Trajneri i njohur Shpëtim Duro, ka bërë sot analizën e ngjarjeve të kampionatit shqiptar në analizën e tij në “Sport News” në “News 24”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të moderatores Enxhi Biba, Duro ka folur për sfidat që duket se kanë hapur edhe më shumë garën për titull në elitë.
“Laçi-Tirana nuk ishte ndonjë ndeshje kushedi, më tepër e luftuar në mesin e fushës. Të dy skuadrat ishsin jashtëzakonisht të kujdesshme. Tirana ka bërë një ndeshje të mirë, e pranoi edhe vetë trajneri. Laçi ishte i vendosur mirë në fushë, ishte grintoz, kërkoi të shfrytëzonte dhe ishte një moment, një ndeshje që ishte një episod që ndryshonte gjithçka.
Tirana nuk është e frikshme, por është racionale. Por jo që është e pathyeshme, është skuadër pa stabilitet sa i përket rezultateve, këtë e kemi parë që në fillim. Ishte një fillim i keq, filloi të reagojë, pastaj përsëri keq, reagoi, përsëri gabon sot. Them se është me meritë në vendin e parë por ka probleme dhe dy ndeshjet që ka në vazhdim me Teutën dhe Partizanin sigurisht janë provë force për të treguar që Tirana e meriton vendin e parë. Ajo që theksoj është që është skuadër me shumë oshilacione.
Dy sfidat e fundit mund të ndryshojnë gjërat. Janë përballje shumë të forta këtë javë, por do flasim javë pas jave. Janë dy javë të cilat do të japin një pasqyrim më të qartë për vazhdimësinë, si në fund të klasifikimit, ashtu edhe lart.
E para, Tirana kishte kundërshtar të fortë sot, një skuadër pretendente për titullin vitin e kaluar, ndërsa Tirana nuk ishte. Shkonte pas një periudhe të mirë të Laçit me fitore radhazi me skuadra të mira. Ndeshja po shkonte drejt barazimit, jo se i bënte punë të madhe Tiranës. Por ndeshje të tilla një episod i vendos. Laçi është tani normalisht me këtë fitore patjetër në rrjedhën e vitit të kaluar, pra si pretendent për pjesën e sipërme të klasifikimit, por do të shohim në vazhdimësi.
Forma e Laçit? Kemi punuar shumë gjatë verës, ndërtuam skuadrën në kohë rekord të tregonte veten në Europë. Do të vinte këtu se ishte skuadra më në formë gjatë Europës. Por gabimet e një trajneri amator e çoi në fund të klasifikimit Laçin dhe për fat që u bë ky zëvendësim se do të shkonin punët keq e më keq.
Tirana, Partizani apo Vllaznia janë skuadra me presion, e kanë jashtëzakonisht të madh sepse edhe investimet janë më të mëdha. Tifozerinë e kanë më të madhe, një rezultat negativ transmetohet më shumë te këto skuadra, stafi, futbollistët. Janë dy ndeshje vendimtare për Tiranën, presioni është shumë i lartë. Në ndeshjet e radhës ka Teutën e derbin që dihet rëndësia. Tirana e meriton vendin e parë se ka bërë kampionat më të mirë, është me meritë aty. Por të shohim se puna e futbollit ndryshon nga java në javë e nga dita në ditë, është i paparashikueshëm.
Fitorja në derbi? Është rezultat shumë i rëndësishëm për momentin që kishte Partizani, por të shohim reagimin me Kukësin e Tiranën. Ka qenë një ndeshje e mirë, e zhvilluar nga Partizani e Dinamo. Ka qenë me veprime të mira, ndeshje që mund ta fitonte edhe Dinamo nëse do të shënonte e para, sikurse mund ta fitonte Partizani. Ishte ndeshje që kush shënonte i pari do ta fitonte. Kam mendimin që Dinamo është futur në krizë, e përsëris një skuadër me lojtarë mjaft cilësorë. Janë rezultatet që gjykojnë, por si lojtarë janë cilësore, nuk funksionojnë si skuadër. Një element që e kam thënë gjithmonë. Është një skuadër ku të gjithë duan të luajnë topin, kur humbin topin nuk ka luftë, rikuperime, pozicionime, ka gabime të jashtëzakonshme individuale. Në ndeshjet e fundit ishte gabim i portierit, përsëri kësaj herë ishte gabim individual i mbrojtësve të Dinamos, jo aksion i Partizanit. Dinamo është skuadër që luajnë të gjithë agallarë, luajnë vetëm kur kanë topin por futbolli sot është i rëndësishëm kur skuadra nuk ka topin. Nuk ka agresivitet, gabime në aspektin difensiv.
E kanë të vështirë me Vllazninë, kjo nuk ishte ndeshje e keqe për Dinamon, ishte e mirë, mund ta fitonte. Fati i keq që nuk e fitoi, fati i mirë për Partizanin. Nëse fiton dy të fundit patjetër mund të ketë ndryshime. Më vjen keq se Shkëmbi ka punuar shumë dhe është profesionist i mirë, por shoh lojtarë që nuk i përgjigjen në lojë. Trajneri mund të ketë marrëdhënie të mira me lojtarët, por shoh lojtarë shumë akademikë. Shpresoj dhe kam dëshirë që të fitojë këto dy ndeshje e të vazhdojë punën e nisur në verë. Nuk dua të hyj te largimet se secili trajner e di më mirë situatën e brendshme dhe ai do të marrë një vendim në momentin e duhur, ai ose presidenti. Unë jam trajner vete, e ndjej vetë, ka pasur raste kur jam larguar edhe kur drejtuesit thoshin “do të rrish”.
Të gjithë kanë ulje-ngritje, Tirana është në vendin e parë dhe ka patur ulje-ngritje. Kurse Partizani ka pasur kundër rezultatet e fazës së parë. Ka përmirësim por nuk duhet të gabojë, se nëse gabon do të jetë situatë e rrezikshme në vazhdimësi, pasi objektivat e Partizanit gjithmonë janë madhorë. Ka dy ndeshje shumë vendimtare që mund t’i fitojë e atëherë them se mund të futet shumë mirë. Nëse fiton dy ndeshjet mund të futet në garë. Laçi, Partizani dhe Teuta janë tre skuadrat që luftuan për titull deri në fund. Nëse futen me tre skuadrat e para, kampionati do të bëhet akoma më interesant dhe rivalizues, tha ndër të tjera Duro.