Daja: Derbi nuk luhet për spektakël, por për të fituar

Ilir Daja, trajneri i Partizanit, para derbit me Dinamon në një deklaratë për mediat tregoi se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ekipin, që tifozët dhe futbollistët të motivohen pas humbjes me Vllazninë :

“Kemi bërë një pjesë të parë jo të mirë me Vllazninë. Ata krijuan më shumë raste, 2-3 për shënim. Pjesën e dytë u zhvendosëm në gjysmëfushën e tyre dhe patëm edhe ne raste për shënim. Ka edhe nervozizëm, normal. Kemi thënë që do bëjmë një analizë që të minimizojmë gabimet dhe të automatizojmë veprimet e mira.

Derbi nuk ka lidhje me mënyrën se si vijnë skuadrat. Derbi është ndeshje e veçantë, që nuk shkon në sinkron në vazhdimësinë e ekipeve. Të dyja ekipet vijnë me humbje, por ne kemi tre fitore e dy barazime kohët e fundit. Mund të ishim më mirë me pikë, nëse do e kishim nisur mirë kampionatin. Mund të kishim 5-6 pikë më shumë pa gabimet individuale. Në Shkodër kundër Vllaznisë priten tre rezultatet. Rikuperimi i pikëve u ndal në Shkodër. Derbi nuk luhet për spektakël, por për të fituar. Do bëjmë maksimumin t’ia dalim.

Dinamo ka pësuar shumë, por ne nuk kemi shënuar shumë. Duhet të jemi efikasë në shfrytëzimin e rasteve. Do ketë shumë dyluftime dhe rastet nuk do të jenë të shumta. Duhet të jemi cinikë, që të paktën ne të përmirësojmë shënjestrën para portës.

Nuk është ndjerë ndonjë efekt i madh negativ prej humbjes me Vllazninë. Kemi bërë stërvitje ndryshe prej reshjeve, në lojëra me qëllim ekipi ka ritëm dhe entuziazëm tjetër. Kemi analizuar ndeshjen me Vllazninë dhe kemi vënë re gjëra të mira. Psikologjikisht nuk ka pasur ndikim negativ”, tha Daja.

“Kur ekipi që ka një lojtarë më pak në fushë dhe është në avantazh, ata e kanë favorin sepse do punojnë vetëm në fazën mbrojtëse. Ata ngushtojnë të gjitha zonat. Është ndryshe kur janë në disavantazh. Më ka ndodhur për ironi të fatit, që kemi qenë me dy më pak dhe ndeshja ka qenë në barazim. Kështu lë boshllëqe mbrapa, ndryshe mbyllen hapësirat dhe është e vështirë të përmbysësh rezultatin.

Janë dy ekipe të një qyteti dhe sigurisht që “Air Albania” ofron kushte më të mira. Gjej rastin t’i ftoj tifozët për të në mbështetur, edhe pse ndeshjen e fundit nuk i kemi kënaqur me rezultatin. Ata e ngrohin shumë atmosferën me praninë e tyre.

Damcevksi mungon që nga ndeshje me Egnatian dhe ka një frakturë në dy brinjët. Pardje është operuar në mushkëri, operacioni ka dalë me sukses. Uroj të afrohet me grupin sa më shpejt. Gligorov ka tërheqje muskulore, pjesa tjetër janë gati. Portieri Hoxha dje për herë të parë është futur në stërvitje. Ka pasur një frakturë në gisht dhe loja kryesore është me duar.

Në këto momente kemi presion ne e Dinamo, prej pozicionit në tabelë. Vendi i parë është shkëputur, kurse i treti pesë pikë larg. Ndeshja do jetë e luftuar, dy ekipet futen në fushë për të fituar. Ndoshta jemi më të favorizuar për të shkuar drejt fitores, prej ecurisë më të mirë në javët e fundit”, përfundoi trajneri.


Shtuar 12.12.2021 14:29