Dembele, ylli që vonohet në stërvitje, luan video-lojëra dhe ushqehet në “fast-food”

Nëse francezi Ousmane Dembele vendos të largohet nga Barcelona, atëherë tifozët e ekipit të tij të ri do të shpresojnë që sulmuesi i krahut të jetojë në afërsi të qendrës stërvitore.

24-vjeçari është blerja rekorde e klubit nga La Liga. Barça në vitin 2017 pagoi 140 milionë euro për transferimin e Dembeles, çmim të cilin francezi nuk e arsyetoi asnjëherë.

Me gjithë statusin superior, Dembele është larg lojtarëve të tjerë që bëjnë jetë të natës dhe frekuentojnë diskotekat. Në vend të kësaj francezi e ndërron jetën e natës së qytetit me mbrëmjet duke luajtur video-lojëra, përkatësisht “PlayStation”. As restorantet e bukura nuk janë stili i Dembeles, që preferon ushqime të shpejta në “McDonald’s”.

Është kjo mënyrë jetese që nuk duket se përmirëson orientimin e tij në kohë. Dembele zakonisht është vonë për stërvitje.

Dembele ka bërë një rrugë të gjatë nga getot e vrazhda të La Madeleine, një periferi e varfër në Evreux, për t’u bërë një yll i futbollit. Ai te Barcelona e ka marrë me qira një rezidencë që e paguan 20 mijë euro në muaj, e cila është në kodër dhe ka pamje nga qyteti i zhurmshëm. Mirëpo, dritat e ndezura të qytetit, lokalet e natës dhe restorantet e shtrenjta nuk paraqesin ndonjë interes për Dembelen. Preferenca e Dembeles është të qëndrojë në shtëpi, të mbushë tavolinën e tij me ushqime të përgatitura shpejt dhe të luajë FIFA në “PlayStation”, ose të kënaqet duke shikuar deri në mëngjes seritë më të fundit në “Netflix”. Kjo do të thotë se Dembele shpesh harron ta aktivizojë alarmin në telefon për t’u paraqitur me kohë në stërvitje te skuadra e Barcelonës.

Në fund të muajit nëntor ai u gjobit nga trajneri i ri i Barçës, Xavi Hernandez, për vonesat e shpeshta. Kur legjenda e Barçës u kthye në “Camp Nou”, prezantoi dhjetë rregulla të arta që duhej t’u përmbaheshin lojtarët. Njëra prej tyre ishte që ata të sigurohen që të arrijnë për stërvitje jo më vonë se 90 minuta përpara seancës së zakonshme të orës 10:00. Xavi dëshiron që skuadra e Barcelonës të shijojë një mëngjes të lehtë së bashku përpara se lojtarët të kryejnë disa punë individuale në palestër dhe të mbajnë seancën në grup. Mirëpo, Dembele gjithmonë ishte për disa minuta me vonesë edhe pse shtëpia e tij nuk është shumë larg qendrës stërvitore. Gjatë mbrëmjeve kur luan video-lojëra dhe pas stërvitjeve, Dembele është një adhurues i madh i ushqimeve të “McDonald’s”, të cilave nuk u reziston. Duke e parë këtë, Barcelona kishte angazhuar një kuzhinier personal. Bëhet fjalë për shefin Mickael Naya, i cili do të kujdesej për dietën e Dembeles pasi në klub ishin të shqetësuar për obsesionin e tij pas ushqimeve të shpejta.

Megjithatë, Dembele nuk e duroi shumë kuzhinierin të cilin e largoi nga puna pas një periudhe të shkurtër. Ai ka thënë se lëndimet e shpeshta të Dembeles vijnë si pasojë e ushqimeve të shpejta dhe netëve pa gjumë për shkak se luan video-lojëra.

“Ousmane është një djalosh shumë i mirë, por ai nuk kujdeset aspak për veten. Ai jeton me dajën e tij dhe shokun e ngushtë, të cilët nuk e kanë guximin t’i thonë asgjë. Ai nuk konsumon alkool, por nuk pushon fare, sepse luan me PlayStation”, ka thënë kuzhinieri Naya.

Në fakt, edhe bashkëlojtarët e kishin kuptuar se Dembele kishte nevojë për ndihmë që ta kuptojë profesionalizmin. Ata e kishin parasysh se Dembele ishte i ri dhe bënte gabime. Mirëpo, as këshillat e bashkëlojtarëve nuk patën ndikim te francezi.

“Ne u munduam ta ndihmojmë atë të kuptojë se futbolli është një gjë 24-orëshe”, tha Gerard Pique.

Pavarësisht mospërputhjeve, Dembele është lojtar i kërkuar. Shumë skuadra të mëdha të Evropës kanë shprehur interesim për ta transferuar Dembelen, i cili ka refuzuar rinovimin e kontratës me Barcelonën që i skadon në fund të këtij edicioni. Manchester Unitedi, Liverpooli, Newcastle, Juventusi e Paris Saint-Germaini, janë skuadrat që po duan ta transferojnë Dembelen. Këtë edicion Dembele ka një gol dhe dy asistime në nëntë paraqitje për Barcelonën në të gjitha garat.


Shtuar 6.01.2022 23:22