Deklarata e famshme e Blatter se “Topat e shortit futen në frigorifer”, rikthehet në skenë pasi shorti i Champions dështoi

Shorti për 1/8 e Ligës së Kampionëve ishte tema më e rëndësishme në botën e sportit ditën e djeshme dhe dështimi i tillë i UEFA- nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Shorti fillestar i çifteve të 1/8 u anulua pas dy lëshimeve të mëdha që ndodhën.

Në fillim u hodhën në short Manchester United dhe Villarreal, edhe pse luanin në të njëjtin grup dhe më pas topi i “Djajve të Kuq” nuk ishte në “short” ndërkohë që kërkohej rivali Atletico Madridit, edhe pse duhej të ishte aty.

Sigurisht, ishin të shumtë ata që e dënuan gabimin e UEFA-s.

Për shortin e UEFA-s kishte folur edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter pesë vite më parë, fjalët e të cilit sot kanë peshë tani kur ndodhi kjo.

“Sigurisht që është e mundur të vendosësh shortin, vetëm duhet të shënjosh disi topat. Le të themi t’i ngrohësh ose t’i ftohësh. Nuk ekzistonte në shortet e FIFA-s, por unë e pash në nivelin evropian kur ndodhi”, kishte thënë Blatter për “La Nation” saktësisht pesë vjet më parë.Ish-presidenti i FIFA-s ka shpjeguar mënyrën se si janë shënuar topat.

“Përpara se të fillojë shorti, topat vendosen në frigorifer. Është një teknikë e thjeshtë për të përcaktuar se cilët topa janë të ftohtë dhe tashmë kur i prekni, e dini se kush janë”, shtoi Blatter.

Sigurisht, kjo deklaratë u kthye në hit pas skandalit. UEFA pranoi gabimin e saj dhe u përsërit shorti.


Shtuar 14.12.2021 18:59