Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka shpjeguar pse ishte mirë për të gjithë fakti që Lionel Messi nuk u rikthye tek blaugranasit në vitin 2023.
Pas largimit të Messit nga Paris Saint-Germaini, argjentinasi ishte lidhur me një rikthim tek Barcelona në verën e vitit 2023.
Të dyja palët ishin të etur për një ribashkim, pasi ndanë rrugët në mënyrë emocionale në vitin 2021, por Deco ka thënë se ishte më e mira që Messi nuk u rikthye, pasi presioni tek blaugranasit do të kishte qenë i tepërt.
“Ai mund të ketë dashur të shkojë tek Miami. Pas Parisit, gjëja më e rëndësishme për të ishte ta gjente veten sërish dhe të ishte i lumtur”.
“Ndoshta kjo nuk do të kishte ndodhur tek Barcelona, sepse presioni do të kishte qenë i tepërt”.
“Mendoj se ishte mirë për të gjithë. Barcelona vazhdoi në rrugëtimin e saj, duke u munduar ta rindërtojë vetveten dhe Messi vazhdoi rrugëtimin e tij, duke shënuar gola dhe duke qenë i lumtur”, ka thënë Deco.
Messi u transferua tek Inter Miami më vonë gjatë atij viti dhe lëvizja doli të ishte e qëlluar.
Ylli argjentinas që u lidh me një rikthim tek Barcelona sërish këtë vit, tani po përgatitet për Kupën e Botës për Klube.
Inter Miami do të ballafaqohet me Al Ahly, Porto dhe Palmeiras në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.