Dashuria për mundjen! Rrëfehet ish-mundësi i Dinamos, Indrit Sorra: 15 vite në tapet…

Sporti i mundjes është nga ata që të forcon jo vetëm fikzikun, por dhe karakterin. Të mban larg veseve, të forcon shpirtin e garës dhe të jep shumë kënaqësi.

Një prej mundësve të Dinamos vjen me një rrëfim ndryshe për Albeu.com. Indrit Sorra ndan kujtime nga momentet e tij në tapet dhe jep këshilla për të apasionuarit e rinj të mundjes. Tregon se i pëlqente kjo disiplinë sportive dhe jo rastësisht, pasi miqtë e tij të shkollës stërviteshin për të qënë mundës.

Një prej shokëve të tij e nxiti të regjistrohej dhe të merrte mësime për mundje. Kur vendosi ishte në klasën e gjashtë dhe zgjodhi mundjen klasike. Për 15 vite u ndesh në tapet.

Falë punës, vullnetit dhe dëshirës ka marrë trofe, çertifikata vlerësuese dhe pozicione nderi në kupat e kampionateve kombëtare. 36 vjeçari prej disa vitesh ushtron profesionin e mësuesit të edukimit fizik.

Ai u jep këshilla nxënësve, mes tyre arrin të dallojë dhe kampionët e ardhshëm duke i nxitur të ndjekin disiplina të ndryshme sportive.

Intervista e plotë:

-Kur ishte momenti që vendosët t’i përkushtoheshit mundjes?

“Kur isha në klasën e gjashtë një shoku im që merrej me sport më nxiti të regjistrohem. E pëlqeja mundjen, por të jem i sinqertë u tërhoqa dhe më shumë kur nisa të stërvitesha. Zgjodha mundjen klasike, më pëlqente më shumë se mundja e lirë. Mundja e lirë është e rrëmujshme, me këmbë e duar. Mundja klasike nga brezi e lart më tërhiqte më shumë. E kështu vazhdova për 15 vite pa ndërprerje.”

-Dinamo ishte zgjedhja juaj e parë. Kishte ndonjë arsye të veçantë?

“Që fëmijë kam qenë tifoz i Dinamos. Vendimi e mora në mënyrë të natyrshme. Gjithashtu Dinamo asokohe në mundje ishte klub shumë i mirë, me trofe, me rezultate të larta. Dinamo kishte mundës cilësorë. Zgjedhja ime për Dinamon lidhet gjithashtu dhe me faktin se miqtë e mi ishin pjesë e këtij klubi.”

-Ke ndonjë trajner, që të ka lënë mbresa në veçanti?

“Në 15 vite ka qenë Besnik Shehu trajneri i cili ka udhëhequr klubin gjatë kohës kur unë isha mundës. Eksperienca e tij si mundës e trajner, na ka ndihmuar shumë. Pak kohë kur po mbyllja karrierën u stërvitëm dhe nga një teknik tjetër.”

-Cila ka qënë pika jote e fortë, që të spikaste nga të tjerët?

“Krahë-qafë, e cila është një lëvizje teknike është “vdekjeprurëse”. Këtë teknikë e zotëroja shumë mirë. Kundërshtarët e mi ma njihnin këtë pikë të fortë dhe kur ndesheshin me mua i ruheshin në maksimum lëvizjeje që bëja (krahë-qafë). Besoj se ishte “arma” ime më e fortë në duelet në tapet.”

-A mund të kujtoni një ndeshje që e konsideroni më të mirë në karrierën tënde?

“Po u ndeshëm në Lezhë. Ishte një duel final për peshën time. Unë e nisa takimin jo si favorit. Tifozët nuk i kisha në krah. Dukeshin si kundërshtarë. Falë ndeshjes së mirë që bëra, tifozët ndryshuan mendim dhe nisën të duartrokisnin. E quajta arritje, u ndjeva krenar!”

-Keni ndjerë ndonjëherë rrezik apo dobësi? Po humbje?

“Po. Veçoj një prej tyre. Ndodheshim në Vlorë, në kampionat dhe përgatiteshim për të fituar. Për të ruajtur peshën mbaja dietë të fortë dhe zgjati një javë. Teksa mbaja dietë, në të njëjtën kohë bënim stërvitje të fortë fizike. Sforcarja solli dobësi. Më kishin shteruar fuqitë. Gjatë ndeshjes pata ndjesinë që po më binte të fikët. Për pasojë unë humba në tapet. Ishte nga momentet më të vështira, por nuk jam i vetmi, që më ka ndodhur. E rëndësishmë është që nuk u demoralizova. Vazhdova para!”

-Si e vlerësoni mundjen e ditëve të sotme?

“Për këtë sport ka më shumë investime se më parë. Me një President Federate si Sahit Prizreni që ka qenë sportist elitar, mundja më duket në nivele optimal. Mendoj se Prizreni do ta lartësojë mundjen tonë në garat ndërkombëtare. E faktojnë dhe medaljet në mundjen e lirë. Besoj se edhe mundja klasike do të sjellë trofe.”

-Ju jeni diplomuar për mësues të edukimit fizik. Pse kjo zgjedhje?

“Mësimdhënien e kam pasur dëshirë, më ka pëlqyer që herët. Të jesh mësues më është kompletim i një sportisti, trajneri dhe edukuesi. Nxënësve tashmë ju kultivoj me lehtësi kulturën sportive, teorinë dhe praktikën. Prej gati një dekadë ushtroj profesionin e mësuesit. Jap mësim tek shkolla 9-vjeçare “Marie Logoreci” në Tiranë.”

-Falë mësimdhënies keni mundur të zbuloni talente në disiplina të ndryshme sportive?

“Shkolla ku jap mësim ka fëmijë me prirje të ndryshme. Si mësues kam mundur të dalloj talentin e tyre dhe jau kam bërë të ditur se cilën disiplinë duhet të ndjekin. Gjatë orëve të mësimi fëmijët i seleksionoj sipas prirjeve dhe më pas i aktivizoj.”

-Pas kaq vitesh që merreni me sport, keni dëshira që ende nuk i keni realizuar?

“Do të dëshiroja të kisha një palestër timen private, me qëllim të stërvitja shumë të rinj për mundje klasike.”

 


Shtuar 17.12.2023 16:48