Ndryshe nga shumica e ekipeve kombëtare në Kupën e Botës, që gjatë turneut i mbajnë lojtarët larg familjeve, Curacao ka vendosur të ndjekë një rrugë tjetër.
Përfaqësuesja nga Karaibet, që po debuton në një Kupë Bote, u ka dhënë mundësi futbollistëve të akomodohen në të njëjtin hotel me gratë, partneret dhe fëmijët e tyre gjatë garës që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.
Të lidhura
None found
Këtë zgjedhje e sqaroi mjekja e skuadrës, Suzanne Huurman, e cila është edhe e vetmja mjeke femër mes të gjitha përfaqësueseve pjesëmarrëse në Kupën e Botës.
“Lojtarët mund të ndajnë dhomën me një bashkëlojtar ose me familjen e tyre. Kur kanë fëmijë, familja merr një dhomë shtesë. Curacao është një vend i vogël dhe shumë i orientuar drejt familjes, ndaj donim ta bënim më të lehtë për lojtarët tanë që të përballonin qëndrimin larg shtëpisë”, tha Huurman.
Sipas saj, prania e familjarëve ndikon pozitivisht në gjendjen psikologjike të lojtarëve gjatë një turneu të gjatë dhe rraskapitës.
“Besoj se intimiteti dhe koha e kaluar me familjen ndihmojnë shumë, sidomos në aspektin emocional. Prania e njerëzve të dashur zvogëlon nostalgjinë dhe stresin, duke sjellë qetësi dhe ekuilibër”, shtoi ajo.
Federata e Futbollit e Curacaos ka marrë edhe një vendim shtesë, duke përballuar shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit për familjet e futbollistëve.
Zyrtarët e federatës arritën në përfundimin se për shumë prej lojtarëve do të ishte e vështirë të mbulonin financiarisht një qëndrim disa-javor të familjarëve në Shtetet e Bashkuara, ndaj zgjodhën t’i mbështesin plotësisht.
Megjithëse në dy ndeshjet e para ka marrë vetëm një pikë, Curacao është shndërruar në një nga rrëfimet më tërheqëse të Kupës së Botës 2026.
Në fokus të madh ka qenë portieri Elroy Room, i cili në barazimin 0-0 kundër Ekuadorit bëri 15 pritje, duke vendosur një rekord të ri në Kupën e Botës që nga koha kur kanë nisur të mbahen statistikat e detajuara.
Paraqitja e tij u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa llogaria e tij në Instagram u rrit nga afro 120 mijë ndjekës në më shumë se 1 milion brenda pak ditësh.
Për vendin më të vogël që është kualifikuar ndonjëherë në Kupën e Botës, prania në mesin e elitës së futbollit botëror përbën tashmë një arritje historike.
