Ish-sulmuesi i Premier League, Gabriel Agbonlahor beson se Cristiano Ronaldo nuk do të refuzonte mundësinë për t’u bashkuar me rivalët e Manchester United, Liverpool, në rast se skuadra e Jurgen Klopp do të bënte një ofertë për të nënshkruar me yllin portugez.
Ronaldo kohët e fundit i kërkoi Manchester Unitedit që ta lejonte të largohej nga klubi pasi ata nuk arritën të siguronin një vend në top katërshe dhe kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm.
“Cristiano Ronaldo do t’i bashkohej Liverpoolit këtë verë, nëse do të mundej”, tha Agbonlahor për “talkSPORT”.
“Ata janë rivalë të mëdhenj të Man United, por bëhet fjalë për Ronaldon. Ai do të shkojë kudo që mund të luajë ende futboll në Champions League, të shtojë rekordin e tij dhe të fitojë tituj. Nuk mendoj se Ronaldo ka ndonjë besnikëri ndaj United, Real Madrid apo Juventus.”
Ronaldo nuk udhëtoi me ekipin për turneun e tyre parasezonal dhe pati një takim me klubin, ku thuhet se u kërkoi atyre të përmendnin çmimin e tyre.
Bayern Munich, Atletico Madrid dhe Sporting janë shfaqur të gjithë si kandidatë të mundshëm për të nënshkruar me yllin 37-vjeçar përpara sezonit 2022/23.
Megjithatë, trajneri i ri i Manchester United, Erik ten Hag, e ka bërë të qartë se Ronaldo është pjesë e planeve të tij, duke theksuar se portugezi nuk është në shitje.
“Ne po planifikojmë për Cristiano Ronaldon në sezon dhe kaq, mezi pres të punoj me të”, u tha Ten Hag gazetarëve në fillim të këtij muaji.
“Kam lexuar thashethemet, por ajo që them është se Cristiano nuk është në shitje, ai është në planet tona dhe duam sukses së bashku. “Kam folur me të para se të dilte kjo çështje, pata një bisedë me të dhe pata një bisedë të mirë. Kjo është mes meje dhe Cristiano-s, ajo që mund të konfirmoj është se kemi pasur një bisedë shumë të mirë së bashku”./ h.ll/albeu.com