Conte shpjegon arsyet e largimit nga Interi dhe përse zgjodhi Tottenham

E tashmja paraqet një sfidë të madhe, më të vështirën në karrierën e tij, por e shkuara e afërt nuk mund të harrohet lehtë.

Në një intervistë Antonio Conte shpejgon arsyet se përse zgjodhi Tottenham Hotspur por fillimisht ndalet të flasë për eskperiencën e tij dy-vjeçare te Interit, duke treguar edhe motivet e dorëheqjes së tij nga zikaltrit.

Një eskperiencë në të cilën Conte fitoi titullin kampion duke rikthyer Interin në majën e futbollit italian pas 11 vitesh.

“2 vitet e mija te Interi u shpërblyen me fitimin e titullit kampion, dhe vetëm me kohën do të kuptohet puna e jashtëzakonshme që është bërë gjatë kësaj periudhe. Sepse për të fituar duhet të thyenim hegjemoninë e Juventusit, diçka jo e lehtë për t’u realizuar.  Një punë e madhe gjithëpërfshirëse që kulmoi me gëzimin e fitimit të Serie A. Megjithatë në fund një zhgënjim i madh për ndryshimin e programit dhe prespektivave nga ana e klubit që sollën edhe ndarjen tonë” theksoi Antonio Conte.

Trajneri i njohur italian shpejgoi edhe zgjedhjen e tij për t’u ulur në stolin e Tottenham vetëm disa muaj pasi kishte ndarë rrugët me Interin.

“Kam marrë gjithmonë në drejtim skuadra që vinin nga momente të vështira në të cilat më është dashur të ndërtoj. Juventusi ishte jashtë kompeticioneve europiane, kombëtarja italiane vinte pas eliminimit në grupe në Botërorin Brazil 2014, Chelsea vinte nga një vend i 10-të në Premier League ndërsa Interi nuk fitonte që nga 2010-ta. Asnjëherë nuk kam bërë zgjedhje komode, por kjo e Tottenham është sigurisht më e vështira dhe për këtë arsye edhe më stimuluesja”, shtoi në përfundim Antonio Conte.


Shtuar 20.11.2021 10:35