Armando Broja është një nga emrat më të lakuar në këtë merkato vere dhe e ardhmja e tij lidhet ngushtë më Serie A.
Për “bomberin” kuqezi interesohen skuadra si Napoli, Lazio, Atalanta dhe disa tjera, ndërsa një tjetër yll i kombëtares Kristjan Asllani ka vendosur tanimë kalimin te skuadra e Interit.
Në lidhje me situatën e këtyre dy lojtarëve ka folur ish-sulmuesi kombëtares, Erjon Bogdani, i cili gjithashtu ka pasur një karrierë të sukesesshme në kampionatin italian.
Në një intervistë për “Radio Goal”, Bogdani ka folur fillimisht për interesimin e Napolit për Brojën:
“Më bëhet shumë qejfi që Napoli interesohet për Armando Brojën, sepse po flasim për një futbollist të madh. Është një numër 9 i lëvizshëm, jo si Osimhen, ka të tjera karakteristika.
Jemi duke folur për një lojtar të ri, të datëlindjes 2001 dhe Çelsi nuk e ka shitur, por e ka dërguar për dy vite në huazim, sepse ka pasur gjithmonë besim tek ai.
Këtë vit ka luajtur si titullar për herë të parë, që për një lojtar në moshën e tij, në atë kampionat nuk është keq.
Në Premier Ligë nuk është e lehtë, sepse luajnë shumë kampionë dhe ai ka zhvilluar paraqitje të mira dhe ka shënuar”, janë fillimisht fjalët e Erjon Bogdanit.
Në lidhje me skuadrën që mund të luajë sezonin e ardhshëm Broja, Bogdani nuk i ka dhënë shumë shanse Napolit, edhe pse asgjë nuk është e mbyllur.
“E kërkojnë shumë klube, por nëse Lukaku do të ikë, Broja mund të luajë të gjitha shanset e tij te Çelsi.
Edhe në ekipin kombëtar ka shënuar disa gola, por kanë qenë të një rëndësie të madhe, Edi Reja ka shumë besim tek ai. Napoli, sipas meje, është një skuadër e madhe dhe në vitet e fundit ka qenë gjithmonë në elitën e futbollit italian e ka bërë edhe shumë ndeshje të mëdha në Europë.
Nëse Napoli do ta marrë, duhet ta mbështesë sepse ai është një futbollist i perspektivës. Ndërkohë, djaloshi është shumë i gëzuar aktualisht dhe po pret një rifillim te Çelsi, gjithashtu edhe trajneri gjerman Tuhel është shprehur me superlativa për të.
Do t’i luajë të gjitha mundësitë për të qëndruar te Çelsi. Si ekspert futbolli, shpresoj që Osimhen të qëndrojë në Napoli për të ndihmuar ekipin me gola të rëndësishëm sezonin që vjen”.
Në fund Bogdani kishte një koment edhe për transferimin e Kristjan Asllanit tek ekipi i Interit. Ish-sulmuesi tha se te “zikaltërit” ka shumë konkurencë, do ishte më mirë nëse do të ishte transferuar te Napoli.
“Edhe kur nuk luante tek Empoli, të gjithë shokët e mi shqiptarë më kanë thënë se ishte vërtet një lojtar i fortë dhe gati për të shpërthyer.
Po flasim për një futbollist me perspektivë, është vetëm 20 vjeç. Ka edhe një hap të madh, një gjuajtje të bukur nga larg dhe një personalitet të madh.
Duke shkuar tek Interi, do të përballet me Brozoviçin dhe Barelën, do ta shihja më mirë te Napoli pasi do të kishte më shumë hapësirë për të luajtur”./albeu.com