Partizani triumfoi me shifrat 1-3 në ndeshjen miqësore ndaj Elbasanit, të luajtur mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Elbasan Arena”. Golat e fitores për të kuqtë u realizuan nga Keko, Sidibe dhe Doumbia. Në përfundim të takimit, trajneri i “Demave”, Florin Bratu, dha vlerësimin e tij.
Të lidhura
None found
“Para së gjithash dua të falënderoj futbollistët, pasi ishin ata që luajtën. Edhe pse bëhej fjalë për një miqësore, ne patëm përballë një skuadër shumë të mirë, një ekip europian. Ndihem gjithashtu krenar, sepse me trajnerin e Elbasanit kam luajtur te Dinamo në vitin 2007. Ta takoja përsëri tani ishte diçka interesante”, deklaroi Bratu.
Duke folur për punën që e pret Partizanin, tekniku theksoi se skuadra duhet të ndërtohet me synimin për t’u rikthyer te trofetë, pasi në tre sezonet e fundit nuk është fituar asgjë.
“Duhet të vazhdojmë punën për të formuar skuadrën, sepse gjatë tre viteve të fundit nuk kemi fituar asgjë dhe nuk kemi siguruar asnjë trofe. Për mua ka shumë rëndësi që këtë vit të reagojmë”, u shpreh ai.
Bratu komentoi edhe mundësinë e afrimeve të tjera gjatë merkatos, duke nënvizuar se aktualisht ka besim te grupi që drejton.
“Ekziston mundësia që të vijë një tjetër lojtar, por në këtë moment dua të them se u besoj futbollistëve të mi dhe kjo është e rëndësishme për mua. Nëse do të kem ndonjë kërkesë, do ta diskutoj me stafin drejtues të klubit”, përfundoi trajneri i Partizanit.
