Shpresat e Bosnjës dhe Hercegovinës për të kaluar në fazën nokaut të Kupës së Botës 2026 mbeten të hapura, pasi në ndeshjen e fundit të Grupit B ajo triumfoi ndaj Katarit me rezultatin 3-1.
Ekipi i udhëhequr nga Sergej Barbarez e përfundoi fazën e grupeve me katër pikë, pas një paraqitjeje të qëndrueshme, dhe tashmë pret rezultatet nga grupet e tjera për të kuptuar nëse do të sigurojë avancimin si një nga përfaqësueset më të mira të vendeve të treta.
Të lidhura
None found
Avantazhi për boshnjakët erdhi në minutën e 29-të, kur Kerim Alajbegoviq realizoi një gol shumë të bukur, duke depërtuar mirë dhe duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës për 1-0.
Pesë minuta më pas, Bosnja e çoi rezultatin në 2-0, kur fati ishte në anën e saj dhe portieri Mahmoud Abunada e devijoi topin në portën e vet, duke shkaktuar autogol.
Para mbylljes së pjesës së parë, Katari arriti të rikthehej në takim. Në minutën e 42-të, Hasan Al Haydos përfitoi nga pasimi i Edmilson Junior dhe shënoi për 2-1, duke i dhënë skuadrës së Julen Lopeteguit besim për vazhdimin e ndeshjes.
Sidoqoftë, Bosnja e mbajti ndeshjen nën kontroll dhe e vulosi suksesin në minutën e 80-të. Pas pritjes së portierit katarian ndaj tentativës së Esmir Bajraktareviqit, topi shkoi te Ermin Mahmiq, i cili shënoi nga afër për rezultatin përfundimtar 3-1.
Boshnjakët patën edhe mundësi të tjera për ta thelluar epërsinë, teksa Edin Dzeko goditi shtyllën, ndërsa Bajraktareviq vuri në provë portierin rival me disa goditje që sollën pritje të rëndësishme.
Me këtë fitore, Bosnja dhe Hercegovina e mbyll Grupin B me katër pikë dhe tani ndjek me vëmendje ndeshjet e grupeve të tjera, me shpresën se kjo pikëmbledhje do t’i mjaftojë për t’u renditur mes skuadrave më të mira në vendin e tretë.
