Jude Bellingham doli në mbështetje të Anglisë pasi Thomas Tuchel shprehu pakënaqësi për paraqitjen e skuadrës në fitoren e vështirë 2-1 ndaj Norvegjisë pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës.
Të lidhura
None found
Trajneri theksoi se nuk ishte tërësisht i bindur nga loja e “Tre Luanëve”, duke lënë të kuptohet se ekipi ende nuk e ka shfaqur nivelin maksimal në këtë turne.
I vendosur përballë këtyre komenteve, mesfushori anglez pranoi se brenda skuadrës ekzistojnë pritshmëri të larta, por nënvizoi se përballja me Norvegjinë ishte shumë më e ndërlikuar sesa mund të duket.
“Ndoshta. Por ndoshta ai nuk e di se çfarë do të thotë të luash në këto kushte ndaj Erling Haaland, Martin Odegaard, Antonio Nusa dhe Alexander Sorloth. Ky nuk ishte aspak një kundërshtar i lehtë”, deklaroi Bellingham.
Futbollisti i Real Madridit tha gjithashtu se Anglia duhet të mbajë gjallë frymën pozitive dhe qasjen fituese në momentet vendimtare të kompeticionit.
“Mendoj se u përpoqëm të krijojmë një atmosferë pozitive dhe duhet ta vazhdojmë këtë. Nuk i gjej fjalët për t’i lavdëruar sa duhet këta djem”.
“Nuk mund të fitosh çdo ndeshje vetëm duke pasuar topin dhe duke bërë një mijë pasime. Ndonjëherë duhet të fitosh edhe në mënyrë jo të bukur, dhe sonte e bëmë përsëri”, u shpreh mesfushori anglez.
Bellingham ishte figura kryesore e suksesit ndaj Norvegjisë, pasi realizoi dy gola dhe ndihmoi Anglinë të përmbyste disavantazhin.
Gjatë këtij Botërori, 23-vjeçari ka zhvilluar gjashtë ndeshje, ku ka arritur një statistikë të spikatur me 6 gola dhe 1 asistimi.
