Bayerni konfirmon lëndimin e yllit të skuadrës, mungon ndaj Real Madridit

Bayern Munich ka konfirmuar se futbollisti i tyre Raphael Guerreiro do të mungojë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën në Madrid kundër Real Madridit.

Guerreiro dëmtoi këmbën e majtë dje në sfidën ndaj Stuttgartit dhe klubi bavarez nuk bëri të ditur se sa kohë do të jetë jashtë fushës portugezi.

Deri në fund të sezonit, Bayern ka edhe tre ose katër ndeshje të tjera, përkatësisht ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, dy ndeshje të Bundesligës dhe një finale të mundshme të Ligës së Kampionëve më 1 qershor në Wembley.

Ata shtojnë gjithashtu se Guerreiro ka lënduar ligamentet e këmbës së majtë, ndaj tani është në një garë me kohën për të luajtur me kombëtaren portugeze në Euro, që nis më 14 qershor.

Reprezentuesi portugez Guerreiro kishte një lëndim në gju në mars dhe më pas grumbulloi minuta solide në ekipin e parë të klubit nga Mynihu.

Ai shënoi një gol edhe në ndeshjen kundër Kolnit, si dhe luajti 90 minuta në fitoren kundër Arsenalit kur asistoi një gol të denjë për të kaluar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/


Shtuar 5.05.2024 15:49