Kur mbetet edhe një javë nga fundi i kampionatit, titulli i Bayern Munchen është më shumë se kurrë në diskutim teksa bavarezët u mposhtën në shtëpi nga Leipzig me shifrat 1-3.
Në fakt, ndeshja nisi mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel duke qenë se kaluan të parët në avantazh me anë të Serge Gnabry në minutën e 25-të.
Gjithsesi, miqtë e morën shpejt veten dhe i shpëtuan goditjes në aspektin psikologjik, edhe pse rezultati i pjesës së parë nuk ndryshoi.
Në fraksionin e dytë, Leipzig nisi të mendonte më shumë për aspektin sulmues dhe ia doli fillimisht të barazonte rezultatin me anë të Laimer në minutën e 65-të.
Por, nuk përfundoi me kaq pasi 11 minuta më pas, Leipzig gjeti edhe golin e përmbysjes me anë të Nkunku që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.
Në vijim, bavarezët tentuan të rikthenin baraspeshën, por ishin sërish miqtë që fituan një tjetër 11-metërsh pas topit të prekur me dorë nga ana e Mazraoui.
Nga pika e bardhë, Szoboszlai nuk gaboi dhe shënoi të tretin duke siguruar tre pikët, por edhe zonën Champions një javë para fundit të kampionatit duke qenë se renditet në vendin e tretë me 63 pikë.
Nga ana tjetër, Bayerni mbetet në vendin e parë me 68 pikë, një më shumë se Borussia Dortmund, ndërsa duhet theksuar se fatet e kampionatit tashmë nuk janë më në duart e bavarezëve teksa verdhezinjtë mund t’i parakalojnë në ndeshjen e së dielës ku përballen në transfertë me Augsburg.