Ballkani dominues ndaj Prishtinës largohet me tri pikë nga “Fadil Vokrri”

Ballkani ka fituar 1-0 në derbin e zhvilluar në udhëtim te Prishtina në kuadër të javës së pestë në Albi Mall Superliga.

Dy skuadrat e kishin të vështirë të krijonin ndonjë rast serioz në fillim të takimit, pasi moti me shi ua vështirësonte punën lojtarëve.

Nga ky mot i ligë e pësoi Edvin Kuç i Ballkanit, që pësoi lëndim në minutën e 25-të dhe u detyrua ta lëshonte fushën.

Por, klubi nga Suhareka nuk u demoralizua nga kjo situatë dhe ia doli të shënonte golin e vetëm të takimit në minutën e 45+2-të.

Ishte Albion Rrahmani që përfitoi nga një asistim nga Armend Thaqi, duke realizuar me kokë në këndin e djathtë të portës së Prishtinës.

Ballkani vazhdoi me dominim edhe në 45 minutat e dytë, duke e shfaqur një Prishtinë të paorganizuar.

Ishte minuta e 53-ë e takimit, kur Ermal Krasniqi lëshoi një goditje të mirë, por aty ishte portieri Ardit Nika.

Një mundësi të artë mysafirët e patën dhjetë minuta më vonë, por Krasniqi nuk pasoi te Rrahmani që ishte i vetmuar.

Në minutën e 70-të, Nika ishte sërish heroi i Prishtinës, pasi ia doli të priste goditjen e Armend Thaqit nga gjuajtja e lirë.

Pesë minuta më vonë, gardiani i vendasve sërish ishte në nivelin e lartë të detyrës, pasi e priti edhe gjuajtjen e Albin Berishës.

Deri në fund, dy skuadrat tentuan të shënonin, mirëpo në fund ishte Ballkani që i mori tre pikë.

Pas javës së pestë, Ballkani është ngjitur në vendin e dytë me nëntë pikë, ndërsa Prishtina është në të katërt.

Shtuar 4.09.2022 22:14