“Ato bazohen në marketing, para dhe reklama” – Rodri kritikon ashpër çmimin e Topit të Artë

Ylli i Manchester Cityt, Rodri, ka thënë se nuk ishte befasuar kur ka mbetur jashtë listës së top treshes gjatë ndarjes së çmimit të Topit të Artë, duke thënë se ky çmim i jep prioritet ‘parave dhe reklamave’.

Ishte argjentinasi Lionel Messi ai i cili e fitoi këtë çmim për herë të tetë rekord në karrierën e tij në tetor të vitit të kaluar, duke mposhtur konkurrencën e Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.

Rodri i cili përfundoi në pozitën e pestë pas bashkëlojtarit Kevin De Bruyne, e vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij çmimi, duke thënë se bazohet vetëm në marketing.

“Nuk jam i befasuar kjo është normale. E kuptoj mirë se si funksionojnë gjërat në këto çmime individuale. Ato janë të bazuara në marketing, para dhe reklama. Ka pasur mesfushorë edhe më herët që kanë qenë po ashtu spanjollë dhe nuk kanë marrë atë që kanë merituar. A e kuptoni se çfarë po them? Në fund ajo që ka rëndësi për mua në futboll është ajo që kam arritur kolektivisht”, ka thënë Rodri.

Ashtu siç tha mesfushori spanjoll, fitimi i trofeve është më i rëndësishëm se sa të fitosh një çmim individual.

City e fitoi tripletën vitin e kaluar dhe janë në rrugë të mirë për ta përsëritur suksesin e njëjtë edhe këtë sezon.

“Qytetarët” janë ende në garë për fitimin e Ligës Premier, Ligës së Kampionëve dhe FA Cup, ndërsa nesër (e martë) do të luajnë ndaj Kopenhagës në ndeshjen e parë të raundit të 1/16-ave në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/


Shtuar 12.02.2024 22:19