Raportimet e fundit nga El Chiringuito TV tregojnë se Barcelona mund të marrë një goditje të fortë në garën për Julian Alvarez, pasi Atletico Madridi thuhet se ka gjetur akordin me Arsenalin për largimin e sulmuesit argjentinas.
Sipas të njëjtave burime, marrëveshja e pranuar nga klubi madrilen përfshin 50 milionë euro, si edhe Viktor Gyokeres, i cili do të transferohej te Atletico Madridi në kuadër të këtij operacioni.
Të lidhura
None found
Po ashtu, bëhet e ditur se presidenti i Atletico Madridit, Gil Marin, e ka telefonuar vetë presidentin e Barcelonës, Joan Laporta, për t’i bërë të qartë se klubi nuk synon ta shesë Alvarezin te një kundërshtar direkt në La Liga.
Nëse këto raportime rezultojnë të sakta, atëherë kjo do të përbënte një goditje të madhe për Barcelonën, e cila prej muajsh e ka konsideruar argjentinasin si një nga emrat kryesorë për përforcimin e repartit ofensiv.
Në këtë situatë, katalanasit mund të detyrohen të zhvendosin vëmendjen drejt opsioneve të tjera në treg, teksa drejtuesit vijojnë punën për të gjetur një sulmues që do t’i sillte më shumë forcë skuadrës së Hansi Flick.
Gjithsesi, ende mbetet e paqartë se cili do të jetë qëndrimi i vetë Alvarezit. Raportohet se sulmuesi argjentinas sheh me interes një kalim te kampioni i La Ligas, element që mund të ketë peshë në vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij.
Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Atletico Madridi, Arsenali apo përfaqësuesit e lojtarit, ndërsa çështja e transferimit të Julian Alvarez vazhdon të jetë ndër temat më të nxehta të merkatos verore./
