David Atanaskoski ka komentuar periudhën që po kalon te Partizani në një intervistë të fundit për “Sports.kz”, ndërsa është ndalur edhe te Dinamo City, kundërshtarja e Astanës në Kupat e Evropës.
Më herët, burime për mediet kanë bërë me dije se mbrojtësi i majtë pritet të nënshkruajë një kontratë të re me Partizanin, e cila do ta mbajë në klub deri në vitin 2028. Në prononcimin e tij, Atanaskoski preku edhe mundësinë e një rikthimi në Kazakistan.
Të lidhura
None found
“Përshëndetje. Te Partizani kushtet janë shumë të mira. Po presim me padurim të përgatitemi sa më mirë dhe të paraqitemi denjësisht në kampionat.”
Lojtari tregoi se vazhdon ta ndjekë kampionatin kazak, edhe për shkak të së kaluarës së tij atje dhe lidhjeve që ka ruajtur. Sipas tij, niveli i garës është pozitiv dhe po njeh rritje nga sezoni në sezon.
“Po, e ndjek kampionatin e Kazakistanit, sepse kam luajtur në atë vend dhe kam shumë miq të mirë atje. Mendoj se niveli i kampionatit është i mirë dhe po përmirësohet nga viti në vit.”
Duke folur për sfidën e raundit të parë kualifikues të Conference League mes Astanës dhe Dinamo City, Atanaskoski u shpreh se ekipi shqiptar është një skuadër me cilësi dhe organizim shumë të mirë.
“Po, është e vërtetë që Astana do të luajë kundër Dinamos. Është një ekip shumë i mirë dhe i organizuar në mënyrë të shkëlqyer.”
Sa i përket stilit të lojës, mbrojtësi i Partizanit e përshkroi Dinamon si një ekip që shfaq futboll shumë të mirë në fazën sulmuese.
“Dinamo City luan një futboll shumë të mirë sulmues.”
Për duelin mes Astanës dhe Dinamos, Atanaskoski pret dy përballje të forta dhe emocionuese, pa veçuar qartë një favorit mes dy skuadrave.
“Mendoj se do të jetë një përballje shumë e bukur dhe interesante në dy ndeshje. Janë dy skuadra cilësore dhe u uroj suksese në të dyja takimet. Shpresoj shumë që të shohim dy ndeshje plot emocione dhe ngjarje, të cilat do t’i mbajnë tifozët në ankth deri në fund.”
I pyetur nëse ka pasur interesim nga klube të Kazakistanit pas largimit të tij, ai sqaroi se aktualisht nuk ka oferta dhe se është në proces rinovimi me Partizanin për edhe dy vite të tjera.
“Aktualisht nuk kam oferta nga klubet e Kazakistanit dhe po rinovoj kontratën time me Partizanin edhe për dy vite të tjera.”
Sa i takon një rikthimi të mundshëm në kampionatin kazak, Atanaskoski theksoi se për momentin mendja e tij është vetëm te Partizani dhe se nuk po shqyrton alternativa të tjera.
“Këtë e di vetëm Zoti. Tani jam i përqendruar te Partizani, më pëlqen gjithçka këtu dhe e respektoj shumë këtë klub. Nuk po mendoj për opsione të tjera. Së pari, të kemi shëndet, ndërsa çfarë do të sjellë koha, do ta shohim në të ardhmen.”
