Fisnik Asllani është i gatshëm ta shtyjë vendimin për hapin e radhës në karrierë, me shpresën se Barcelona do të ndërmarrë një hap për të. Sipas SPORT, sulmuesi i Hoffenheimit synon një kalim te gjiganti katalanas, nëse Ferran Torres largohet gjatë kësaj vere.
Të lidhura
None found
Pas një sezoni shpërthyes në Bundesligë, përfaqësuesi i Kosovës pritet të ndahet me Hoffenheimin. Në këtë fazë, ai po konsideron vetëm dy alternativa për destinacionin e ardhshëm: Barcelonën dhe RB Leipzigun.
Ndonëse ka pranuar disa oferta, 23-vjeçari ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Ai dëshiron fillimisht të kuptojë nëse Barcelona do të konkretizojë interesimin për shërbimet e tij.
Klubi katalanas e ka ndjekur Asllanin përgjatë gjithë sezonit të kaluar, ndërsa në fillim të kësaj vere raportohet se ka vendosur kontaktet e para me përfaqësuesit e futbollistit.
Kontrata e tij me Hoffenheimin përfshin një klauzolë largimi prej rreth 29 milionë eurosh. Megjithatë, klubi gjerman thuhet se mund të pranojë negociata për një shumë më të ulët, nëse marrëveshja përmban bonuse të lidhura me paraqitjet ose huazimin e mundshëm të ndonjë lojtari.
Barcelona, nga ana tjetër, e ka prioritet afrimin e një sulmuesi të nivelit të lartë. Në krye të listës së dëshirave të klubit vazhdon të jetë ylli i Atletico Madridit, Julian Alvarez.
Vendimi për të investuar ose jo në një tjetër qendërsulmues do të merret pasi të sqarohet çështja e argjentinasit dhe e ardhmja e Ferran Torresit, i cili është përmendur për një transferim te Paris Saint-Germain.
Asllani shkëlqeu në sezonin 2025/26, duke zgjuar interesimin e disa klubeve të Bundesligës.
Para vendimit përfundimtar lidhur me repartin sulmues, Barcelona pritet të vëzhgojë edhe talentin egjiptian Hamza Abdelkarim gjatë fazës përgatitore.
