As fotografi me Messin, as fanellë”, Gernot Rohr kritikon Argjentinën pas miqësores

Përzgjedhësi i Beninit, Gernot Rohr, ka shprehur pakënaqësinë e tij për trajtimin që iu bë skuadrës së tij pas miqësores ndaj Argjentinës, e zhvilluar në orët e para të ditës së sotme dhe që shënoi paraqitjen e fundit të Lionel Messit me kombëtaren argjentinase.

Të lidhura

None found

Argjentina fitoi 3-0 në një stadium të tejmbushur, ku vëmendja kryesore ishte përqendruar te lamtumira e Messit. Futbollistët e Beninit u përpoqën të shkëmbenin fanellat me lojtarët e “Albicelestëve” dhe të realizonin fotografi me ta, por nuk ia dolën.

Rohr e rrëfeu këtë situatë gjatë një interviste në emisionin radiofonik të RMC-së, “Rothen s’enflamme”.

“Po, ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ne u përpoqëm. E vetmja gjë për të ardhur keq është se argjentinasit nuk na dhanë asgjë. Asnjë fotografi me Messin, asnjë fanellë. Madje nuk na lejuan as të hynim në tunel apo në dhomat e zhveshjes”, deklaroi Rohr.

Përzgjedhësi gjerman tha se edhe futbollistët e Beninit e kishin kuptuar paraprakisht se afrimi me lojtarët argjentinas do të ishte një mision i vështirë.

“Sigurimi nuk lejoi askënd të hynte. Disa lojtarë erdhën për të shkëmbyer fanellat, kështu që e dinim se do të ishte e vështirë. Ne provuam gjithçka, por nuk morëm asgjë”, shtoi ai.

Një përpjekje tjetër ishte edhe dhurimi i një buqete me lule për Messin, të përgatitur në ngjyrat e flamurit të Beninit, por as kjo nuk u realizua.

“Ne ofruam një buqetë me lule në ngjyrat e Beninit, të verdhë, të kuqe dhe të gjelbër, por as kjo nuk funksionoi. Megjithatë, unë i dhashë përzgjedhësit Scalonit fanellën e Messit nga viti 2018. Ai ia dha Messit për ta firmosur dhe më pas ma ktheu, por kjo ishte e gjitha”, përfundoi Rohr.