Arsenali ka shtuar ndjeshëm lëvizjet për të afruar Manu Kone nga Roma, pasi thuhet se ka rënë dakord për kushtet personale me përfaqësuesit e futbollistit.
Mesfushori 25-vjeçar, që aktualisht është i grumbulluar me Francën në Kupën e Botës 2026, është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm në listën e “Topçinjve” për merkaton e verës. Klubi nga Londra po kërkon të shfrytëzojë edhe gjendjen e vështirë financiare që po kalon Roma.
Të lidhura
None found
Skuadra e veriut të Londrës ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në tentativën për të mbyllur transferimin e mesfushorit francez.
Sipas Corriere della Sera, dëshira fillestare e Kones ishte një kalim i leverdishëm te Paris Saint-Germain, ndërsa më parë ai kishte hedhur poshtë edhe interesimin e Atletico Madridit. Por, me kampionët e Francës që nuk e konkretizuan afrimin e tij, Arsenali ka përfituar nga kjo situatë dhe ka negociuar me sukses me rrethin e lojtarit për një lëvizje të mundshme drejt “Emirates Stadium”.
Roma po përballet me presion të fortë për të kryer një shitje përpara datës 30 qershor, në mënyrë që të respektojë kërkesat e rrepta të ‘Fair Play Financiar’.
Klubi italian e kishte vlerësuar fillimisht mesfushorin e tij me një çmim prej 50 milionë eurosh. Kone ka spikatur me paraqitjet e tij nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit.
Mikel Arteta e konsideron 25-vjeçarin si alternativën taktike më të përshtatshme për të ulur ngarkesën mbrojtëse që në mesfushën e Arsenalit mbart aktualisht Declan Rice.
Shpejtësia me të cilën Kone e çon topin drejt fazës sulmuese mund t’i shtojë ritëm dhe energji repartit të mesfushës së ekipit londinez.
Gjithashtu, ai do t’i sillte skuadrës një profil teknik të ndryshëm nga Martin Zubimendi, pasi stili më i ngadaltë i këtij të fundit po shihet gjithnjë e më pak si i përshtatshëm për lojën dinamike dhe fluide të Artetës.
