Argjentina me një këmbë në Botëror (VIDEO)

Messi e nis nga stoli, nuk shënon as Lautaro Martinez e madje as Dybala, megjithatë Argjentina e ka në skuadër futbollistin që di të zgjidhë ndeshjet e mëdha. La Selecion triumfoi në transfertën delikate ndaj Uruguait me rezultatin minimal 0-1 falë një goli të Angel Di Marias njeriut të ndeshjeve të mëdha duke hedhur një tjetër hap të sigurt drejt kualifikimit direkt në Botërorin Katar 2022.

Në Montevideo në stadiumin Campeon del Siglo skuadra e Lionel Scalonit mori fitoren e 3-të rresht dhe të 11-ën në 12 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet duke zgjatur ecurinë perfekte dhe tashmë është vetëm një fitore larg kualifikimit matematikor në Botëror kur ka për të luajtur edhe plot 6 ndeshje në eliminatoret e Amerikës së Jugut. Në njërin krah mungonte Edinson Cavani por ishte në fushë nga minuta e parë Luis Suarez ndërsa në krahun tjetër me Messin që u aktivizua vetëm në çerek-orëshin e fundit, Scaloni përkrah Di Marias dhe Lautaros aktivizoi që nga minuta e parë edhe të rikthyerin e madh në kombëtaren argjentinase Paulo Dybala.

Ishte i sulmuesit të Juventusit asisti në golin e vetëm të sfidës të realizuar nga Di Maria që në minutën e 7-të, një gol shumë i bukur i sulmuesit të Paris Saint Germain. Megjithatë rastin e parë në këtë sfidë e kishte Uruguai por në minutën e 5-të portieri Emiliano Martinez bëri mrekullinë ndaj Luis Suarez, ndërsa po në fraksionin e parë te vendasit iu afruan golit në dy raste të tjera edhe Suarez e Vecino por pa rezultat.

Në pjesën e dytë Scaloni bëri shumë ndryshime në formacion duke aktivizuar edhe Joaquin Correan e Papu Gomez përveç Messit që hyri në fushë në minutën e 76-të por asgjë nuk ndryshoi më me Argjentinën që mori tre pikë të arta që e ngjitën në kuotën e 28 të tillave, në vendin e 2-të të grupit të Amerikës së Jugut me 6 pikë më pak se Brazili ndërkohë që Uruguai i Oscar Tabarez duhet të luftojë deri në fund për kualifikimin teksa për momentin duke patur parasysh edhe krizën e rezultateve pasi ka 3 humbje rresht dhe ka marrë vetëm 1 pikë në 4 ndeshjet e fundit, është në vendin e 6-të me 16 pikë, po aq sa Kolumbia dhe Kili.


Shtuar 13.11.2021 09:15