Ansu Fati lojtari më i mirë U-19 në qarkullim

Sulmuesi i Barcelonës, Ansu Fati dhe mesfushorja e skuadrës së Rosengardit, Hanna Bennison, janë fituesit e edicionit 2021 të çmimit të lojtarit/lojtares më të mirë në qarkullim U-19, që jepet nga Goal.com.

Fati mundi në këtë garë Eduardo Camavingan e Rennes, që u rendit i dyti “playmaker”-in e Borussias së Dortmundit, Gio Reyna, që kompletoi podiumin.

“Ylli” i Barcelonës u nderua me këtë çmim falë ndikimit të tij të jashtëzakonshëm në ekipin e pare të Barcelonës, duke u bërë shënuesi më i ri në historinë e UEFA Champions League.

Në moshën 18-vjeçare, Ansu Fati është gjithashtu shënuesi më i ri në historinë e ekipit kombëtar spanjoll, me të cilin bëri debutimin e tij në shtator 2020. Fenomeni me origjinë nga Guinea pason me këtë çmim Rodrygon e Real Madridit, fituesin e edicionit 2020.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që votuan për mua dhe, natyrisht, shokët e mi të skuadrës – tha Fati me rastin e ndarjes së çmimeve – Pa ata, e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar në këto vite “.

Shtuar 23.03.2021 02:03