Amir Rrahmani ‘hero’ i Napolit, shënon në frymën e fundit për t’i dhënë fitoren ndaj Salernitanas

Napoli me shumë vështirësi ka fituar me rezultat 2-1 ndaj Salernitanas në “Diego Maradona” këtë të shtunë.

Ishin mysafirët ata që kaluan të parët në avantazh përmes ish-futbollistit të Interit, Antonio Candreva (29’) i cili shënoi një gol jashtëzakonisht të bukur për t’i dhënë avantazhin prej 1-0 Salernitanas.

Në fundin e pjesës së parë, Napoli arriti që të barazojë shifrat, ku në skenë doli Matteo Politano (49’) i cili shënoi nga pika e bardhë për 1-1.

Teksa dukej që ndeshja do përfundonte pa fitues, në skenë doli Amir Rrahmani (97’) i cili u gjend mjaft mirë brenda zonës së kundërshtarit për të shënuar për 2-1 dhe për t’i dhënë fitoren shumë të vlefshme ekipit të tij.

Kjo ishte fitorja e parë për të besuarit e Walter Mazzarrit, pas tri ndeshjesh pa fitore në elitën e futbollit italian.

Në anën tjetër për Rrahmanin ky ishte goli i tij i parë në këtë edicion të ri të garave dhe mund të themi se ishte një gol mjaft i rëndësishëm, pasi që do i shërbejë Napolit të mbajë gjallë shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

Rrahmani me shokë do të rikthehen në aksion përsëri javën e ardhshme, ku do të luajnë ndeshjen gjysmëfinale ndaj Fiorentinës në kuadër të Superkupës së Italisë./Telegrafi/


Shtuar 13.01.2024 20:03