Categories: sport

Amir Abrashi feston 300 ndeshje me Grasshoppersin, nga plagët në fushë te trofetë dhe derbit e zjarrtë

Amir Abrashi ka shënuar një tjetër arritje të veçantë në karrierën e tij, duke luajtur për herë të 300-të me fanellën e Grasshoppersit.

Të lidhura

None found

Rekordin e vendosi në përballjen e Kupës kundër Grenchenit, duke forcuar edhe më shumë vendin e tij si një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e klubit zviceran.

Me rastin e kësaj arritjeje, mediumi zviceran “Blick” ka sjellë në vëmendje disa prej episodeve më të spikatura të rrugëtimit të mesfushorit shqiptar te Grasshoppersi, ku ai është dalluar për karakterin, përkushtimin dhe shpirtin luftarak.

Një nga momentet më simbolike u regjistrua në maj, në duelin vendimtar ndaj Aaraut. Grasshoppersi synonte të shmangte rënien nga elita për të tretin sezon radhazi.

Gjatë kohës shtesë, lojtari kundërshtar Obexer e goditi Abrashin në fytyrë dhe u ndëshkua me karton të kuq. Kapiteni i GC-së mori qepje në kokë në mes të fushës, por nuk u tërhoq dhe vijoi të luante, duke ndihmuar ekipin të siguronte mbijetesën.

Pas përfundimit të takimit, ende me fytyrën e mbuluar nga gjaku, Abrashi e përmblodhi marrëdhënien e tij me klubin me fjalët: E dua këtë klub.

Por karriera e tij te Grasshoppersi përmban edhe episode më të pazakonta. Në gusht të vitit 2012, kur ishte 22 vjeç, ai shënoi golin që i dha skuadrës fitoren 2-0 në transfertën ndaj Luzernit.

Festimi, megjithatë, përfundoi në mënyrë të papritur. Bashkëlojtari Toko e kapi Abrashin nga pas dhe i lëndoi këmbën, duke e detyruar atë të linte fushën.

“Blick” e kishte cilësuar këtë si “Festimi më i marrë i të gjitha kohërave”. Vetë Abrashi reagoi me humor ndaj ngjarjes, duke thënë pas ndeshjes: “E rëndësishme është që i morëm tri pikët”.

Në pranverën e vitit 2024, pas disfatës 3-0 kundër Young Boysit, mesfushori tregoi edhe një herë rolin e tij si lider. Në një moment kur Grasshoppersi rrezikonte seriozisht rënien, ai mblodhi lojtarët në fushë dhe u kërkoi të mos dorëzoheshin.

“U thashë djemve se nuk dua të shoh asnjë reagim negativ gjatë ditëve në vijim”, kujtoi ai më vonë.

Grasshoppersi e siguroi mbijetesën përmes ndeshjeve të play-offit. Në maj të po atij viti, pas fitores dramatike në minutat e fundit ndaj Thunit, Abrashi e përshkroi atë si momentin më të mirë të karrierës së tij.

“Ndihem sikur më janë hequr tri kilogramë nga trupi”, deklaroi ai, pasi skuadra kishte kaluar presionin e madh të betejës për mbijetesë.

Ajo periudhë kishte një rëndësi të dyfishtë për Abrashin, pasi vetëm një javë përpara ndeshjes vendimtare ai ishte ftuar nga Kombëtarja e Shqipërisë për Kampionatin Evropian të vitit 2024 në Gjermani.

“Prioriteti im ishte ta mbaja GC-në në elitë. Tani mund t’i bashkohem Kombëtares. Çfarë mund të dëshirosh më shumë në karrierën tënde?”, ishte shprehur ai.

Përveç sfidave për qëndrimin në elitë, Abrashi ka përjetuar edhe momente triumfi me klubin zviceran. Në maj të vitit 2013, ai fitoi Kupën e Zvicrës, pasi Grasshoppersi mposhti Baselin në finale pas ekzekutimit të penalltive.

Asokohe 23 vjeç, Abrashi ishte pjesë e formacionit titullar dhe luajti në çdo ndeshje të fushatës që e çoi klubin drejt trofeut.

Kupa e Zvicrës mbetet trofeu i fundit i madh i Grasshoppersit. Më vonë, Abrashi fitoi edhe titullin e Bundesligës së dytë gjermane me Freiburgun, në vitin 2016.

Mesfushori shqiptar ka ndërtuar gjithashtu një histori të veçantë në derbin e Cyrihut kundër FC Zurichut. Ai ka marrë pjesë në 32 derbi, më shumë se çdo lojtar tjetër aktiv, duke grumbulluar 11 kartonë të verdhë dhe një të kuq.

Abrashi nuk e ka fshehur asnjëherë rivalitetin me kundërshtarin lokal. “Derbit janë një nivel mbi të gjitha ndeshjet e tjera. Pas fitores më pëlqen të dal në qytet për të ngrënë, por pas humbjes fshihem”, kishte deklaruar ai./

të fundit

Një javë pas Asamblesë, Rama mbledh të shtunën socialistët e Tiranës, çfarë pritet të ndodhë

Një javë pas Asamblesë së PS që solli zhvillime brenda kampit socialist, kryeministri Edi Rama, mbledh këtë të shtunë, 21…

2 minutes ago

Marjana Koçeku paralajmëron rikandidim për deputete, larg partive tradicionale dhe e hapur ndaj qasjeve të reja

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka paralajmëruar se do të rikandidojë për deputete në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se…

3 minutes ago

Tre zyrtare kosovare mbarojnë Akademinë Kombëtare të FBI-së, Kosova kryeson botën për numrin e të diplomuarve

Tri zyrtare nga Kosova diplomuan në Akademinë Kombëtare të FBI-së, bëri të ditur Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Në njoftimin…

11 minutes ago

Lushtaku kritikon Qeverinë Kurti: Buxheti rritet, por qytetarët po varfërohen

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2027, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e rritjes së planifikuar të…

11 minutes ago

Kamberi para deputetëve serbë: Të drejtat e shqiptarëve nuk janë lëndë pazari, as nuk këmbehen me poste

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginën e…

22 minutes ago

Abdixhiku kundërshton buxhetin 2027: Pa investime, ndihmat sociale nuk mjaftojnë për zhvillim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot projektbuxhetin 2027, duke thënë se politikat e Qeverisë…

22 minutes ago