Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi janë ftuar nga Kosova për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, lajm që është konfirmuar nga klubi i tyre turk, Amedspor.
Në listën e publikuar me futbollistët e grumbulluar nga përfaqësueset përkatëse, Amedspor ka përfshirë edhe dy reprezentuesit kosovarë.
Të lidhura
None found
“Urojmë suksese për lojtarët tanë të ftuar në përfaqësueset kombëtare”, shkroi Amedspor në njoftimin e tij.
Dellova dhe Krasniqi do të vihen në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për katër takime të Ligës së Kombeve, të cilat “Dardanët” do t’i luajnë brenda një periudhe prej vetëm 10 ditësh.
Ky cikël do të fillojë më 24 shtator në Prishtinë, me Kosovën që do të jetë nikoqire e Irlandës. Më 27 shtator, tri ditë pas ndeshjes së parë, ekipi i Franco Fodës do të udhëtojë drejt Austrisë për duelin me përfaqësuesen vendase.
Më pas, Kosova do të takohet me Izraelin më 1 tetor në Hungari. Cikli i parë do të përfundojë më 4 tetor në Prishtinë, ku “Dardanët” do të luajnë sërish kundër Austrisë.
Për këto katër përballje të rëndësishme, Foda do të mund të llogarisë te Dellova dhe Krasniqi, ndërsa Kosova synon ta nisë në mënyrën më të mirë edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
