Allegri nis misionin, Juve me mendjen te merkatoja dhe rinovimet

Në shtëpinë e Juventusit është gjithçka gati për nisjen e përgatitjeve në kuadër të sezonit të ri, teksa këtë herë në pankinë është rikthyer një nga trajnerët që ka fituar më shumë me bardhezinjtë, Massimiliano Allegri.

Futbollistët që nuk kanë qenë të angazhuar me përfaqësueset përkatëse gjatë verës, do të zbarkojnë nesër në ambientet stërvitore të klubit, për të kryer testet mjekësore dhe ato të koronavirusit, por edhe për t’u njohur me programin stërvitor të trajnerit të ri.

Nga ana tjetër drejtuesit e klubit bardhezi kanë ende shumë punë për të bërë, që të kompletojnë organikën e trajnerit Allegri dhe që gjatë kësaj jave pritet të kryejnë sulmin vendimtar për të sjellë në Torino Manuel Locatellin.

Mesfushori që spikati me Italinë në Euro 2020, është një nga objektivat e mëdhenj të Allegrit dhe Juventus ka ofruar 40 milionë euro, plus kartonin e njërit prej futbollistëve që ka në ekipin e të rinjve, ndërsa Sassuolo këmbëngul për të arkëtuar të paktën 50 milionë euro kesh.

Një tjetër emër që Allegri ka kërkuar për korsinë e majtë, është ai i gjermanit të Atalantës, Robin Gosens, por edhe në këtë rast pengesë bëhen pretendimet e bergamaskëve, që e vlerësojnë futbollistin plot 40 milionë euro.

Drejtuesit e Juventusit janë gati të paguajnë 20 milionë euro dhe kartonin e Bernardeschit, megjithatë ky është një operacion që do të kërkojë kohë, pasi bardhezinjtë duhet të sistemojnë më parë brazilianin Alex Sandro.

Përveç blerjeve të reja, drejtuesit kanë punë edhe me rinovimet, pasi pritet të marrin firmën e kapitenit Chiellini për një kontratë të re një vjeçare, por edhe të zgjatin bashkëpunimin me argjentinasin Paulo Dybala, kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme.


Shtuar 13.07.2021 23:03