Al-Hilal po vlerëson mundësinë për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Karim Benzeman këtë verë, bëri të ditur gazetari saudit Ahmad.
Të lidhura
None found
Klubi nga Arabia Saudite raportohet se mund t’i propozojë sulmuesit francez një kompensim financiar për ndërprerjen e kontratës. Megjithatë, një hap i tillë do të merret vetëm pasi Al-Hilal të sigurojë një tjetër futbollist ofensiv që mund të garantojë gola gjatë këtij afati kalimtar.
E ardhmja e Benzemas u vu në dyshim një ditë pasi ai shfaqi pakënaqësi kur u zëvendësua në minutën e 70-të të fitores 4-2 të Al-Hilalit ndaj Al-Faisaly, në sfidën hapëse të kampionatit saudit.
Trajneri Simone Inzaghi doli në mbrojtje të tij, duke e cilësuar reagimin si normal. Sipas teknikut, një sulmues i kalibrit të Benzemas dëshiron të qëndrojë në lojë.
Benzema u transferua te Al-Hilal si lojtar i lirë gjatë dimrit, pas ndërprerjes së kontratës së tij me Al-Ittihad.
Prej momentit të mbërritjes, ish-futbollisti i Real Madridit ka luajtur 14 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku ka realizuar 10 gola dhe ka dhënë pesë asistime.
Edhe pse shifrat e tij janë pozitive, qëndrimi i Benzemas në Arabinë Saudite mbetet i pasigurt. Vendimi përfundimtar mund të ndikohet nga aftësia e Al-Hilalit për të gjetur një zëvendësues në repartin e sulmit.
